“Në Korçë e dashurojnë futbollin dhe për këtë më 21 shkurt me qindra vetë dolën në rrugët dhe sheshet e qytetit duke kënduar “Skënderbe”, ndërsa në duar mbanin pankarta “Mos na vrisni ëndrrën!”.
Kështu e nis “The Guardian” artikullin e saj kushtuar hetimit të nisur nga UEFA për skuadrën korçare, e cila, sipas një raporti, rrezikon të ndëshkohet me një dekadë jashtë kupave të Europës.
Gjithçka të bukur që Skënderbeu ka arritur deri më tani është në prag të kolapsit dhe diskreditimit nga një hetim kundër trukimit të ndeshjeve, që UEFA e quan më i jashtëzakonshmi i të gjitha kohërave. Në raportin e UEFA-s kërkohet që për këtë, gjashtë herë kampionët e Shqipërisë, që këtë sezon arritën edhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës, të ndëshkohen dhe nëse miratohet nga Disiplina e qeverisë europiane të futbollit, kjo do të shkërmoqte thuajse një dekadë progres.
“The Guardian” thotë se raporti i shkruar nga dy inspektorë nuk është bërë publik nga UEFA, por në Shqipëri qarkullon gjerësisht dhe “The Guardian” e ka parë gjithashtu atë. Pikërisht ky raport dhe përmbajtja e tij nxorri korçarët në protestë.
Aty thuhet se “Skënderbeu ka trukuar ndeshje si askush tjetër në historinë e futbollit”, duke hedhur dyshime gjithashtu se klubi ka qenë trampolinë për hedhjen e parave të krimit të organizuar në këtë sport. Vetë UEFA nuk e konfirmoi, por as e mohoi këtë dokument.
“The Guardian” kujton se në të shkuarën, Skënderbeu është ndëshkuar për trukim, por sipas britanikes, pezullimi me një vit në 2016-2017 ishte një masë administrative e Arbitrazhit Sportiv në procesin me dy faza hetimore. Kjo do të thotë, sipas The Guardian se raporti në fjalë është faza e dytë dhe në të kërkohet një masë ndëshkimore shumë herë me e ashpër.
“The Guardian” ka kontaktuar edhe me Presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj.
“Unë kurrë nuk kam qenë pjesë, apo të kem qenë në dijeni të përpjekjeve për të ndikuar në rezultatin e një ndeshjeje”, citohet ai në artikull.
Takaj, thotë “The Guardian”, është i vendosur që të pastrojë emrin e Skënderbeut dhe shprehet se “një dënim i mundshëm 10-vjeçar është një ndëshkim tejet i ashpër”.
Top Channel