Një virus ka goditur rëndë kombëtaren suedeze, duke e kthyer grumbullimin për Ligën e Kombeve në një situatë të pazakontë për trajnerin Graham Potter.

Pesë lojtarë u detyruan të tërhiqeshin para barazimit 1-1 me Bosnjën, ndërsa për shkak të sëmundjeve dhe dëmtimeve, Potter mbeti me plot 11 mungesa për sfidën e zhvilluar në Zenicë. Mjeku i kombëtares suedeze, Jonas Werner, e përshkroi gjendjen e lojtarëve si të ngjashme me gripin ose një ftohje të rëndë. Futbollistët e prekur u izoluan në dhomat e tyre, ndërsa stafi mjekësor mori masa për të kufizuar përhapjen e infeksionit në pjesën tjetër të skuadrës.

Situata ishte aq e rënduar sa federata suedeze u detyrua të thërriste përforcime emergjente. Në grumbullim u bashkuan Felix Beijmo, Samuel Dahl, Hugo Bolin, Ken Sema dhe Eric Smith. Pavarësisht gjithë problemeve, Suedia arriti të marrë një pikë në Bosnje. Viktor Gyökeres kaloi suedezët në avantazh në minutën e 61-të, por Kerim Alajbegoviç barazoi dhjetë minuta para fundit. Trajneri Graham Potter e konsideroi ndeshjen “të jashtëzakonshme”, duke pasur parasysh kushtet në të cilat skuadra e tij u përball me Bosnjën.

Problemet, megjithatë, nuk përfunduan pas ndeshjes. Stroud dhe Wålemark u larguan nga grumbullimi, ndërsa Ayari, Nygren dhe Lagerbielke vazhdojnë të rikuperohen dhe mbeten në dyshim.

Suedia kryeson grupin me 7 pikë, pas dy fitoreve dhe një barazimi, dhe ka arritur një seri prej 10 ndeshjesh pa humbje në Ligën e Kombeve. Tani sfida e fundit e kësaj dritareje ndërkombëtare është edhe më e komplikuar. Suedia do të përballet të hënën, më 5 tetor, me Rumaninë në Bukuresht, ndërsa Potter duhet të menaxhojë një skuadër të goditur nga virusi dhe dëmtimet.

Top Channel