Pas Arda Guler, vjen radha e Tchouamenit, kohë rinovimesh te Reali i Madridit
Andrea Ranocchia hapi librin e të kaluarës së tij duke kujtuar periudhën e errët të përjetuar te Interi, e shënjuar nga një depresion i thellë dhe nga humbja e shiritit të kapitenit.
Tani, ish mbrojtësi zikaltër dhe i kombëtares italiane, që është në rolin e opinionistit televiziv, ka ndryshuar perspektivë me Athletics Mind, një platformë digjitale e krijuar për të vënë në kontakt sportistë të çdo moshe me psikologë dhe nutricionistë.
‘Dhe shpresoj të ndihmoj e të ndryshoj edhe atë të personave të tjerë. E di se çfarë do të thotë të bashkëjetosh me errësirën dhe sesa e rëndësishme është të kërkosh ndihmë-tregon Ranocchia në një intervistë për ‘Corriere Della Sera’
Andrea Ranocchia u transferua te Bari në verën e vitit 2010, pak muaj pas fitores së Tripletës nga ana e zikaltërve. Dëmtimi në ligamentet e gjurit i kushtoi botërorin, një cikël i jashtëzakonshëm me Interin po mbyllej, pak vite më pas Massimo Moratti u largua dhe sezonet e vështira të skuadrës zikaltër, ia komplikuan shumë gjërat.
‘Kishte kaos. Ndiheshim të pafuqishëm. Të zbrisje në fushë ishte bërë një peshë e rëndë. Kisha humbur vetëbesimin-tregon Ranocchia-Pyesja veten nëse do të mund të luaja më futboll. Por jo në Serie A, në çdo kategori. Nuk e njihja më veten’.
Me përkeqësimin e rezultateve të skuadrës, kritikat ishin bërë të papërballueshme si në stadium ashtu edhe jashtë saj.
‘Isha te Interi prej shumë kohësh. Isha shndërruar në fajtorin kryesor të situatës. Fërshëllima, fyerje. Në stadium, në rrjetet sociale-vijon rrëfimin Ranocchia-e tmerrshme. Kisha humbur qetësinë, nuk isha mirë. Nuk doja të dilja nga shtëpia. Isha në depresion’
Më pas ai foli edhe për çështjen e shiritit të kapitenit që iu hoq në mënyrë surprizë.
‘E mësova në miqësoren e parë-zbulon Ranocchia-me të hyrë në dhomën e zhveshjes, pashë që shiriti i kapitenit nuk ishte pranë fanellës sime, por te ajo e Icardit’
Por si ia doli Andrea Ranocchia që të kalojë këtë periudhë të errët?
‘Kërkova ndihmë jashtë klubit. Nisa terapi me një psikologe. Pranova brishtësitë e mia pa i paragjykuar-tha Ranocchia që nuk harroi të falenderojë as Luciano Spallettin që e mbrojti nga kritikat e një tifozi gjatë një grumbullimi në fazën përgatitore. ‘Do t’i jem gjithnjë mirënjohës-tha ai
Top Channel