Një skenë e pazakontë ka ndodhur në Spanjë, ku një ndeshje e Kupës së Mbretit nuk u zhvillua për shkak të një situate të tensionuar dhe ndërhyrjes së policisë.

Atletico Union Guimar dhe Sporting Ortaleza duhej të përballeshin në Tasagaya, në Tenerife, në një sfidë që do t’i jepte fituesit një vend në raundin e parë të Kupës së Mbretit, ku mund të përballej me një prej skuadrave të La Ligës, si Sevilla, Betis, Rayo Vallecano apo Getafe.

Por ndeshja nuk nisi kurrë. Skuadra madrilene e Sporting Ortaleza-s refuzoi të dilte nga dhomat e zhveshjes dhe kërkoi praninë e policisë. Sipas pretendimeve të klubit, pjesëtarë të delegacionit të tij ishin pritur jashtë nga persona me kapuçë, disa prej të cilëve dyshohet se mbanin thika në duar.

Situata u tensionua edhe më tej pak para fillimit të ndeshjes, kur një shishe plastike u hodh në drejtim të një lojtari të skuadrës mike dhe më pas shpërtheu një përleshje. Në këto kushte, Sporting Ortaleza vendosi të mos e zhvillonte takimin. Me një eskortë të fortë policore, ekipi u largua nga stadiumi dhe u drejtua drejt aeroportit për të lënë Tenerife-n.

Kliko këtu për të parë pamjet

Ngjarja duket se nuk ishte e shkëputur nga historia mes dy skuadrave. Pas ndeshjes së parë, trajneri i Atletico Union Guimar kishte deklaruar se “rezultatet duhet të zgjidhen në ndeshjen e dytë”, ndërsa kishte kritikuar edhe mikpritjen e treguar nga kundërshtari. Tashmë topi është në fushën e autoriteteve të futbollit spanjoll, të cilat duhet të vendosin se çfarë do të ndodhë me ndeshjen.

Mes skenarëve të mundshëm është zhvillimi i saj në një stadium neutral, me dyer të mbyllura, ose vendimi që Sporting Ortaleza të pranojë rikthimin në fushë. Për momentin, një gjë është e sigurt: një ndeshje që duhej të vendoste një biletë për në Kupën e Mbretit përfundoi në një situatë që ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me një ndeshje futbolli.

Top Channel