Houstoni është i pandalshëm në sezonin e rregullt të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.
Skuadra teksane kaloi edhe pengesën New Orleans, të cilën e mundi me rezultati 107-101. Një sfidë e ekuilibruar, kjo mes këtyre dy ekipeve, ku diferencën për “Rockets”-at e bëri i zakonshmi James Harden, me 32 pikë e 11 topa në tabelë, ndërkohë që dha kontributin e tij edhe Chris Paul, me 21 pikë.
Për New Orleans, Anthony Davis shënoi 26 pikë e rrëmbeu 13 topa në tabelë, por nuk i ndihmuan “Pelicans”-ët.
Si gjithmonë, më të mirët e shfaqin veten e tyre kur gjërat vështirësohen. Ky është rasti i Clevelandit, që mundi një natë më parë Chicagon 114-109 falë LeBron Jamesit, që e mbylli sfidën me 33 pikë, 13 topa në tabelë dhe 12 asiste. Por “Mbreti” nuk ishte i vetëm në këtë përballje, pasi mjaft mirë u paraqit edhe Green me 21 pikë.
Për Chicagon nuk mjaftuan 34 pilkët e Valentine dhe statistikat e mira të dyshes Payne-Felicio, për të evituar disfatën. Me këtë fitore, Clevelandi e sheh veten ende në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes, pas Torontos e Bostonit.
Ndërkohë, San Antonio duket se ka rilindur. Skuadra teksane mposhti Minnesotën 117-101, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi, e tashmë e sheh veten sërish brenda zonës së “play off”-eve, teksa renditet në vendin e 7, pikërisht pas Minnesotës.
San Antonio iu fal Lamarcus Aldridge në këtë ndeshje, i cili regjistroi një bilanc me 39 pikë e 10 topa në tabelë. Për Minnesotën, Towns shënoi 23 pikë ndërsa Wiggins 21, por që nuk e ndihmuan skuadrën e tyre.
Golden State e harroi humbjen e rëndë të pësuar ndaj Sacramentos, duke ia nxjerrë të gjithë inatin Phoenixit. Kampionët në fuqi të NBA-së luajtën një tjetër ndeshje pa treshen Durant-Curry-Thompson, por këtë radhë mungesa e tyre nuk u ndje.
Cook me 28 pikë, Green me 25 dhe Young me 20 pikë, ishin ata që morën përsipër t’i drejtojnë “Warriors”-at drejt këtij suksesi. Për Phoenix, 18 pikët e Daniels dhe 36 të Jacksonit në 36 minuta lojë nuk mjaftuan për të mposhtur skuadrën kaliforniane.
Top Channel