Supersfida e mbrëmjes së në NBA ishte ajo mes Toronto Raptors dhe Houston Rockets, pasi përballë ishin skuadrat që kryesojnë konferencat respektive të Lindjes dhe Perëndimit.
Në fund, ajo që doli e fituar ishte skuadra e Raptors, që e ka sigurar tashmë matematikisht kualifikimin në fazën e “playoff”-it. 108-105 ishte rezultati në favor të kanadezëve, të cilët, së bashku me Rockets, u bënë protagionistë të një sfide të rivalizuar. Për Houston si gjithnjë spikati James Harden, i cili shënoi 40 pikë, por që nuk i mjaftuan skuadrës teksane. Në krahun tjetër, De Rozan dhe Lowry e mbyllën sfidën respektivisht me 23 dhe 30 pikë, duke i dhënë mundësinë Torontos që të konsolidojë pozitat e saj në krye të Konferencës së Lindjes.
Los Angeles Clippers moshti Cleveland Cavaliers me rezultatin 116-102. Perioda e parë dhe ajo e katërt ishin praktikisht perfekte për skuadrën kaliforniane, që arriti të marrë këtë fitore, ndërkohë që Cleveland mbetet forca e tretë në Konferencën e Lindjes. LeBron James ishte lideri i Cavaliers me 25 pikë dhe 10 topa në tabelë, i ndihmuar edhe nga Nance Jr. e Clarckson, me 21 pikë në 25 minuta lojë, por që nuk ndihmuan dot nënkampionët të evitojnë disfatën.
Golden State Warriors nuk arritën dot të përfitojnë nga humbja e Houstonit për të marrë kreun e klasifikimit në Konferencën e Perëndimit. Skuadra kampione në fuqi e NBA u mposht nga Portland 125-108, duke mbetur në vendin e dytë. Warriors, që nuk kishin në parket Stephen Curry, nuk zhvilluan lojë të dobët dhe këtë e tregojnë 40 pikët e Durant e 25 të Thompson, por këto statistika u vunë në hije nga 30 pikët e McCollum dhe 28 të Lillard, të cilët drejtuan Portlandin drejt fitores, me këtë të fundit që tashmë është forca e tretë ne Konferencën e Perëndimit.
Top Channel