Gara për kreun e FSHF, Duka kërkon një tjetër mandat përballë deputetit Fino

10/01/2018 19:55

Asambleja zgjedhore e 7 shkurtit, që do të vendosë për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit, i ngjason për momentin më tepër një loje shahu, ku më të shumta janë të panjohurat dhe lëvizjet e gurëve të prapavijës së protagonistëve kryesorë.

Megjithatë, pas shumë përballjesh zgjedhore, kjo e vitit 2018 pritet të jetë më e ashpra për nga emrat e kandiatëve, pritja e tyre dhe koha e shkurtër për një fushatë zgjedhore bindëse, deri më 7 shkurt.

Armand Duka, edhe pse ende jo i zyrtarizuar, do të jetë në kërkim të mandatit të pestë dhe do të dalë hapur shumë shpejt, duke u kërkuar edhe një herë besimin anëtarëve të Federatës.

Në fillim, kur Duka mori drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk kishte as zyra. Shpejt arriti t’i japë institucionit fytyrën e duhur, duke përmirësuar jo thjesht ambientin administrativ, por edhe funksionimin.

Ekipet shqiptare të Superiores ishin në atë gjendje sa nuk arrinin të kalonin asnjë tur në garat ndërkombëtare, ndërsa Kombëtarja rrinte gjithmonë në vendet e fundit.

Tani, Kombëtarja është në gjendje të vendosë në vështirësi edhe ekipet e mëdha, ndërsa suksesi kulmor ishte pjesëmarrja në finalet e Europianit. Janë ndërtuar dy stadiume me standarde të larta, si “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, ndërkohë që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm edhe “Arena Kombëtare”.

Por nuk kanë munguar edhe dyshimet për përfshirjen e ekipeve shqiptare në baste ndërkombëtare me ekipe europiane. Këto janë pjesë e CV-së së Dukës, nëse ai vendos rikandidimin në krye të FSHF-së.

Konfliktet e vazhdueshme të disa prej anëtarëve me Federatën kanë krijuar pakënaqësira, që mund të përkthehen në votë kundër dhe kanditatura alternative përballë presidentit Duka.

Një i pakënaqur është ekipi i Flamurtarit, skuadra që pritet të mbështetësë kandidaturën e shumëpërfolur kohët e fundit të deputetit socialist Bashkim Fino. Lidhjet e tij me sportin janë si tifoz, apo futbollist amator, por pika e fortë e Bashkim Finos është përkatësia në Partinë Socialiste që qeveris sot vendin në nivel qendror dhe lokal, ku shumë përfaqësues të pushtetit lokal janë votues në Asamblenë zgjedhore të FSHF-së.

Në historikun e saj, Federata Shqiptare e Futbollit, një organ i pavarur nga politika, ka pasur vetëm një drejtues politik, Edmond Spahon. Deputeti aktual i Partisë Demokratike, ministër i Turizmit dhe Sporteve në fillimin e viteve ’90, u zgjodh me mbështetjen e mazhorancës së atyre viteve president i FSHF-së në vitin 1994.

Pavarësisht zgjedhjes së tij, Federata asokohe drejtohej më tepër nga Sekretari i Përgjithshëm, që ishte Eduard Dervishi. Me rotacionin politik të vitit 1997 vjen rrokada edhe në drejtimin e Federatës së futbollit.

Edhe pse jo një emër i politikës, por me mbështetjen e fortë të saj, president u zgjodh Miço Papadhopulli. Ndërkohë që ndërhyrjes së politikës duhet t’i ndruhet edhe drejtuesi aktual i FSHF-së, i cili pas vitit 2005 arriti të fitojë një betejë politike me të djathtët në pushtet.

Pothuajse të gjithë ministrat që mbulonin sportin në qeverinë e Berishës, edhe vet ish-kryeministri u përballën me të, por Duka ia doli të qëndrojë, edhe me mbështetjen e organeve europiane dhe botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA, që i vunë ultimatum Shqipërisë se do të pezulllohej nga aktivitetet ndërkombëtare nëse politika nuk tërhiqej.

Më 7 shkurt është beteja e re dhe “lojtarët”, nëse Bashkim Fino e zyrtarizon të enjten, do të jenë vetëm dy: deputeti Fino dhe presidenti aktual i FSHF-së, Armando Duka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA