Justin Gatlin rrezikon të përfshihet në një skandal tjetër dopingu. Atleti 35-vjeçar, kampion bote në 100 m, që ka qenë i skualifikuar edhe më parë për shkak të këtij fenomeni, shkarkoi nga detyra trajnerin Dennis Mitchell.
Sipas një hetimi të “Daily Telegraph”, të publikuar të hënën, Mitchell i ka ofruar substanca dopingu personave që po prodhonin një film për atletikën. Përveç trajnerit, në këtë histori mësohet se është përfshirë edhe agjenti i Gatlin, Robert Wagner.
Gjithnjë sipas “Telegraph”, këto dy personalitete të lidhura me Gatlin janë nën hetim nga Njësia e Integritetit të Atletikës, e krijuar këtë vit nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës dhe Agjencia amerikane Antidoping.
Presidenti i IAAF-së, Sebastian Coe, në intervistën e dhënë për këtë të përditshme ka deklaruar se kjo çështje është shumë serioze.
“Këto akuza janë të rënda”, tha Coe, i cili e përkufizoi fitoren e Gatlin në Botërorin e Londrës si diçka jo të mirë për sportin. “E di që njësia e integritetit do të hetojë për këtë histori”.
Sipas Renaldo Nehemiah, menaxheri historik i Gatlinit, Wagner e ka përfaqësuar sprintierin amerikan në raste të rralla. Gjithsesi,duket se atleti nuk ka qenë i pranishëm në episodet që janë nën hetim.
Mësohet se Mitchell dhe Wagner kishin ofruar testosteron dhe hormon të rritjes për 250 mijë dollarë, për një aktor që po stërvitej, duke qenë se ai ka një rol në filmin me temë sportin e atletikës.
Top Channel