VIDEO/ U ndëshkua me karton të kuq, Neymar humbet toruan. Çfarë ndodhi në ndeshjen e kampionatit brazilian?

25/10/2026 13:27

Neymar u bë protagonist negativ në ndeshjen e javës së 30 të kampionatit brazilian mes Santosit dhe Bahias. Në një moment të sfidës, sulmuesi 34 vjeçar u ndëshkua me karton të kuq pasi mbuloi gojën teksa po diskutonte me rivalin e tij, Rodrigo Nestor.

Gjithçka ndodhi në momentin që nisi pjesa e dytë e ndeshjes. Neymar po diskutonte me Nestor dhe në një moment mbuloi gojën për t’i thënë diçka. Futbollisti i Bahias nuk ngurroi dhe iu drejtua arbitrit për ta denoncuar. 

Arbitrat në sallën VAR i kërkuan gjyqtarit të fushës që të rishihte momentin kur Neymar mbuloi gojën dhe pas kësaj erdhi edhe ndëshkimi me karton të kuq pasi gjesti i sulmuesit të Santosit hynte brenda të ashtuquajturit ‘Ligji Vinicius’ që në kampionatin brazilian aplikohet.

Kur pa që t’i tregohej kartoni i kuq, Neymar e humbi toruan dhe u nis drejt rivalit të tij dhe u desh ndërhyrja e futbollistëve të tjerë që të frenohej. Në fund sulmuesi i Santosit e la fushën e lojës, por edhe në atë moment mbuloi sërish gojën teksa thoshtë diçka me zë të lartë.

Edhe gjatë pjesës së parë Neymar dhe Nestor janë përplasur mes tyre dhe gjatë pushimit të ndeshjes, futbollisti i Bahia foli për SporTV duke u shfaqur shumë i ashpër ndaj kundërshtarit të tij. Ai tregoi se iu afrua për t’i dhënë dorën por Neymar iu përgjigj duke i hedhur topin në trup.

‘Më pas dëgjova shumë gjëra. Prindërit më kanë edukuar shumë mirë, i falenderoj shumë dhe unë e di shumë mirë nga vij-tha Nestor-kam lindur në Itaquera, ishte e vështirë për të arritur aty ku jam tani dhe jam krenar që vesh fanellën e Bahias. Ai e di se çfarë më tha. Ishte mungesë respekti ndaj meje dhe ndaj fanellës së Bahias. Neymar është një idhull për të gjithë botën si futbollist, por si njeri sot ai dështoi për mënyrën sesi foli. Nuk duhen bërë gjëra të tilla. Prindërit e mi më kanë edukuar shumë mirë dhe i falenderoj për këtë. Unë nuk do të thoja kurrë diçka të tillë’

Ndërkaq, më vonë vetë Neymar pranoi se gaboi, por shtoi se Nestor e ekzagjeroi me reagimin e tij duke shkuar direkt te arbitri përpara se t’i thoshte ndonjë gjë.

VIDEO e Neymar pas kartonit të kuq

Top Channel