Benjamin Netanyahu pret që vendet europiane të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e vendit të tij.
Kryeministri izraelit është në Bruksel për bisedime, hera e parë që një shef ekzekutivi i shtetit hebre e viziton qytetin në më shumë se 20 vite.
Veprimi i Donald Trumpit e ka lënë Amerikën të izoluar, sa i takon kësaj çështjeje të një ndjeshmërie të lartë për izraelitët dhe palestinezët.
Por, pas mbërritjes në Bruksel, Netanyahu edhe një herë e përshëndeti vendimin e presidentit amerikan, e tha se Jeruzalemi ka qenë kryeqyteti i popullit hebre për 3.000 vite.
“Trump, – u shpreh ai, – nuk bëri gjë tjetër veçse i hodhi faktet në tryezë”.
“Unë besoj se të gjithë, ose të paktën shumica e vendeve europiane do t’i lëvizin ambasadat e tyre në Jeruzalem, do ta njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe do të angazhohen fuqishëm për siguri, prosperitet dhe paqe”, tha Netanyahu.
Përveç njohjes së Jeruzalemit, presidenti Trump tha gjithashtu se po e drejtonte Departamentin amerikan të Shtetit drejt nisjes së përgatitjeve për ta zhvendosur Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.
“Ju e dini se cili është qëndrimi i Bashkimit Europian për këtë çështje”, u shpreh shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
“Ne besojmë se zgjidhja e vetme realiste e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës është ajo e bazuar mbi krijimin e dy shteteve, të cilat të kenë të dyja për kryeqytet Jeruzalemin”, konfirmoi Mogherini.
Izraeli e ka parë gjithmonë Jeruzalemin si kryeqendrën e tij, ndërsa palestinezët pretendojnë se pjesa lindore e qytetit të pushtuar në vitin 1967 do të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm të Palestinës. Sovraniteti i Izraelit mbi Jeruzalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë vendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Top Channel