Vincenzo Montella u shkarkua sot nga posti i trajnerit të Milanit, pas një periudhe të gjatë me mungesë rezultatesh, ndërsa kthesa nuk erdhi as në sfidën e djeshme ne Torinon.
Ish tekniku i kuqezinjve arriti të marrë vetëm 8 pikë, në 9 sfidat e fundit në kampionat, duke bindur drejtuesit e Milanit, t’i komunikojnë shkarkimin, para se situate të bëhej më alarmante.
Vetë Montella, në fjalët e para pas shkarkimit, tha se pritshmëritë ishin shumë të larta, por nuk ngurroi të falënderojë drejtuesit e tifozët, si dhe t’i urojë fat pasardhësit të tij, Gatussos.
“Të drejtoja Milanin dhe të punoja me këtë grup lojtarësh, ishte një kënaqësi dhe nder i madh për mua. Dua të falënderoj të gjithë, që nga Fassone dhe Mirabelli, tifozët fantastikë të Milanit, por edhe stafin tim, që më ka ndjekur dhe mbështetur deri në fund. Fajtor për largimin? Besoj se jemi të gjithë fajtorë, sepse i rritëm shumë pritshmëritë. E vërtetë që objektivat fillestarë nuk u arritën, por skuadra më ndiqte dhe po rritej nga java në javë. Gjithsesi, tani çdo gjë është në dorë të Gatussos, që është një njeri i besueshëm për atë pozicion. I uroj shumë fat dhe suksese në këtë aventurë”, tha Montella.
Top Channel