Donald Trump i uroi mirëseardhjen në Shtëpinë e Bardhë fëmijëve të zonës, familjeve të ushtarakëve, e një grupi “Boy Scout”-ësh të veshur me kostume “Halloween”-i.
Në Meksikë, dita e të vdekurve solli një shpërthim formash e ngjyrash, por “Hollywood” ka nisur që tani të mendojë për Krishtlindjen.
Qendra e industrisë amerikane të filmit e çeli sezonin festiv me premierën e komedisë “Bad Moms Christmas”, ku nënat e reja të interpretuara nga Mila Kunis, Kristen Bell dhe Kathryn Hann, gjenden përballë pritshmërive dhe traditës, ndërsa iu duhet të merren edhe me nënat e tyre: Susan Sarandon, Cheryl Hines e Christine Baranski.
Filmi është vazhdim i hitit të vitit 2016, “Bad Moms” (Nëna të këqija), i cili mblodhi më shumë se 180 milionë dollarë anembanë botës, në një kohë kur buxheti për realizimin e tij ishte vetëm 20 milionë dollarë.
Pjesëtarët e kastit të aktorëve thonë se filmi i ri është paksa më “shkatërrues”, por sërish po aq komik sa origjinali, ndërsa përbën edhe një homazh ndaj marrëdhënies së veçantë që ekziston mes nënave dhe vajzave të tyre.
Me skandalet e profilit të larte nga Uashingtoni deri në “Hollywood”, Susan Sarandon thotë se njerëzve në këto momente do t’iu vinte për shtat një e qeshur e mirë. Filmi do të shfaqet në kinematë amerikane duke nisur nga 1 nëntori.
Top Channel