Pronat kolateral, BSH: Bankat të krijojnë agjenci për shitjen e tyre

08/05/2016 00:00

Rreziqet që vijnë nga mosshitja e kolateraleve hipotekore, të lidhura me kreditë e pakthyera, ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të urdhërojë bankat e nivelit të dytë, që të ngrejnë struktura të posaçme për menaxhimin e pasurive të paluajtshme të lëna si garanci bankare.

Banka Qendrore ka ndryshuar rregulloren për administrimin e rrezikut të kredive, ku ndër të tjera përcaktohet se, bankat duhet të trajtojnë çështjen e pasurive të marra nga kolateralet me njerëz të specializuar brenda stafeve të tyre. Po ashtu kërkohet hartimi i planeve dhe strategjive të brendshme.

Ndryshimet në rregullore kanë ardhur si rezultat i shtimit të vlerës së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që bankat po mbajnë në bilance, pasi ato nuk janë shitur dot në ankandet ligjore, pjesë e procesit të ekzekutimit të kolateralit, organizuar nga zyrat e Përmbarimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2015, vlera e pasurive të paluajtshme në bilancet e bankave kishte arritur në 22 miliardë lekë. Rregullorja e ndryshuar e Bankës së Shqipërisë u lejon bankave t’i mbajnë ato në bilance deri në 7 vite, por duke llogaritur fonde rezervë mbështetur në vlerën kontabël të këtyre pasurive. Pjesa dërrmuese e këtyre pasurive janë ndërtesa, kryesisht pallate të reja të përfunduara ose jo, si dhe troje.

Top Channel