Zbulohet një call center në kryeqytet, arrestohen në flagrancë 4 organizatorë, nën hetim 49 punonjës

11/06/2026 09:38

4 persona u arrestuan dhe 49 u proceduan, pasi Policia e Tiranës i identifikoi duke punuar në një call centre që aktivitet kryesor kishin futjen në grackë të qytetarëve kanadezë të cilët nxiteshin të investonin në bursat fiktive forex.

Ky call centre në katin e dytë të një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta” me 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, në dukje ishte një qendër ku bëhej marketing online një kafeje por në të vërtetë kryheshin telefonata kurth.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari,të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe drejtonin grupet e punonjësve. Ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e ideatorit dhe përfituesit të drejtpërdrejtë të kësaj skeme.

“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.

Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel