Në prag të sezonit të ri turistik, Qeveria merr masa për shtimin e
plazheve publike, të cilat do të jenë të shpërndara në mënyrë
proporcionale me ato private në raportin 20 dhe 80 %.
“Eshtë një ndryshim që ne e sjellim në radhë të parë, duke dashur që qytetarët të mos paguajnë kudo ku shkojnë për të bërë plazh, që plazhet private të mos uzurpojnë të gjithë hapësirat dhe të ketë një alternim të plazheve publike me ato private në masën 20 për qind. Të ketë një hapësirë nga deti 2.5 metër që të jetë hapësirë për të gjithë qytetarët dhe kjo jo e uzurpuar nga privatët”, tha ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.
Ministrja Gjermeni thotë se vendimi u është dërguar për zbatim të gjitha njësive vendore në zona bregdetare, shoqëruar nga kontrata tip që këto njësi duhet të lidhin me subjektet private për dhënien me qira të plazhit.
‘Njësitë vendore kanë përgjegjësinë më të madhe për ta zbatuar dhe realizuar këtë vendim dhe masat e tjera në prag të sezonit turistik. Ne do ta monitorojmë procesin. Po, do të ketë dhe sanksione dhe gjoba”, tha Gjermeni.
Çdo vit qytetarët ankohen se hapësirat e plazheve pushtohen 100 % nga privatët dhe nuk ka asnjë hapësirë publike ku të mund të bëjnë plazh me pajisjet e tyre. Masa të tjera të parashikuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave, janë më shumë kushteve në drejtim të higjenës dhe më shumë sipërfaqe të gjelbra apo pajisja me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve.
Top Channel