Solidarizimi, ndihma për familjen Dizdari në Pukë

24/12/2012 00:00

Një javë më parë, në gazetën “Shqip” dhe në “Top Channel”, u publikua
reportazhi për familjen Dizdari në Pukë, e cila jetonte në gjendje të
mjerueshme duke u ushqyer me bukë e kripë. Historia e kësaj familjeje
preku shumë njerëz, të cilët u solidarizuan për të ndihmuar familjen
Dizdari.

Ndihma në lekë, në ushqime, veshmbathje madje dhe lidhja e një rroge prej 20 mijë lekësh të reja për një vit ishin ndihmat e para që mbërritën brenda pak ditësh për këtë familje, ndërkohë që shumë qytetarë vazhdojnë të japin ndihmën e tyre në forma të ndryshme.

Në familjen Dizdari, ku festohet Bajrami dhe Krishtlindjet, tashmë ky Vit i Ri do mund të festohet në një atmosferë të ngrohtë me ushqime dhe veshmbathje dhe një shumë të konsiderueshme në numrin e tyre të llogarisë dhe jo më me bukë e kripë.

“Bukë e kripë”

Situata e disa ditëve më parë në familjen e Bube Dizdarit, prej 8 anëtarësh ishte në një gjendje ku luftohej për të mbajtur frymën. Fëmijët këmbëzbathur me rroba të grisura dhe barkun bosh duke u ushqyer me bukë e kripë duket sikur janë personazhet e Poemës së Mjerimit të Migjenit, madje shumë mirë mund të thuhet se ia kishin kaluar dhe “Lulit të Vocërr”. Gjatë gjithë kohës, fëmijët, për shkak të të ftohtit që kanë, qëndronin pranë një stufe gjysmë të ndezur. Në ambientet e kësaj shtëpie të duket vetja si në Mesjetë, ku beteja me jetën nga dita në ditë dukej një luftë e humbur. E gjithë familja jetonte vetëm me një pension prej 12 mijë lekësh të plakës së shtëpisë, Bube Dizdari. U larguam nga Puka duke lënë pas fëmijët Rikardin, Emiljanon, Besadën, të cilët qëndronin këmbëzbathur duke mbajtur frymën me bukë e kripë, larg çdo ëndrre fëminore.

Solidarizimi

Pasqyrimi i kësaj situate në “Top Media” u bë shtysë që shumë shqiptarë nga SHBA-ja, Greqia, Italia, Anglia dhe brenda Shqipërisë të solidarizohen duke bërë të mundur që të kthehemi serish te fëmijët, Besada e Rikardi, jo më për t’i parë duke u ushqyer me bukë e kripë, por për t’u dërguar atyre ushqime, veshje dhe lodra të ndryshme. Tashmë kjo familje falë ndihmave në lekë dhe veshmbathje, në një farë mënyre, arriti të kapërcejë mjerimin që i kishte mbërthyer në katër anët. Pranë redaksisë së gazetës “Shqip”, “Top Channel”-it dhe “Top Neës” ka pasur telefonata të shumta që kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar familjen Dizdari. Një ndihmë të veçantë ka dhënë stafi i Ministrisë së Jashtme, që është dhe hera e parë që ky institucion merr një nismë të tillë, ku për pak ditë janë mbledhur e dërguar një ndihmë tepër e konsiderueshme që konstaton në ushqime dhe veshmbathje këpucë, triko, bluza, pallto etj., jo vetëm për fëmijët, por dhe për pjesëtarët e rritur të familjes.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Armando Shandro, i cili dorëzoi dhe ndihmën në fjalë te familja Dizdari, duke folur për gazetën shprehet se “Pas publikimit të lajmit u solidarizuam i gjithë stafi dhe personeli i Ministrisë së Jashtme. Ne besojmë se kjo ndihmë që sollëm në Pukë te familja Dizdari do t’i shërbejë atyre për t’u lehtësuar sado pak vështirësitë që kanë. Kjo është hera e parë që Ministria e Jashtme merr një nismë të tillë dhe kjo ndihmë humane nga institucioni ynë do të vazhdojë”.

Ndihmat

Ndihmat kanë vazhduar për familjen Dizdari nga shoqata “Compassion Help Center” në bashkëpunim me “Top Channel” dhe gazetën “Shqip” kanë mundësuar mbledhjen e një ndihme të konsiderueshme në ushqime dhe veshmbathje, gjithashtu nga dy pjesëtarë të shoqatës është dhënë dhe një shumë në para. Duke folur për gazetën, përfaqësuesi i shoqatës, Fejzi Shaholli, është shprehur se “ne jemi një shoqatë humane dhe pasi pamë në “Top Channel” dhe gazetën “Shqip” situatën e rëndë ekonomike ku ndodhej familja, organizuam mbledhjen e ndihmave dhe erdhëm në Pukë për t’i sjellë. Ndihemi mirë që pati solidarizim dhe po i japim ndihmë kësaj familjeje që ndodhet në vështirësi ekonomike”.

Ndërkohë, një ndihmë të konsiderueshme ka dhënë “Klinika Europiane e Syve” në Tiranë, e cila i ka dërguar familjes Dizdari 20 mijë lekë të reja dhe i ka lidhur kësaj familjeje një rrogë mujore prej 20 mijë lekësh të reja për gjithë vitin 2013. Ndërsa, zonja Drenusha Prelvukaj dhe kompania e saj nga Nju Jorku kanë dërguar 1000 USD, ndërkohë qytetari nga Shkodra, Kastriot Hoxha, i ka dërguar familjes Dizdari 500 euro. Ndërsa një emigrant nga Italia i ka dërguar familjes Dizdari 50 euro. Një student shqiptar nga Anglia, emigrant nga Greqia, qytetarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, vazhdojnë të shprehin dëshirën për të dërguar ndihma në familjen Dizdari. Por, për familjen Dizdari, ndihmat e mbërritura duken ende të pabesueshme.

Mendova vetëvrasjen

I zoti i shtëpisë Besnik Dizdari, e shoqja Dava dhe nëna e tij, plaka 71 vjeçe, Bube Dizdari, nuk mund ta mbajnë gëzimin dhe herë pas here shpërthejnë në lot gëzimi duke përqafuar dhe falënderuar çdo mysafir që sjell ndihma në familjen e tyre. Duke folur për gazetën “Shqip”, Besnik Dizdari, dëshiron të falënderojë të gjithë që i erdhën në ndihmë. “Jam tepër i gëzuar dhe i lumtur, nuk di ç’të them, nuk e kuptoj si ka mundësi të më ndodhë një ndihmë e tillë, nuk ma ka marrë mendja kurrë se njerëzit do më ndihmonin kaq shumë. As nuk kam ngrënë, as nuk ka fjetur, se nuk më besohet, them mos jam në ëndërr, shumë herë flas me vete dhe pyes veten kjo është njëlloj si me ta sjellë Zoti, si me rënë nga qielli. Kam një jetë që askush nuk më ndihmon, gjithë më kanë shpërfillur dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do më vinte një ndihmë e tillë. Me ndihmat që më kanë ardhur, tashmë besoj se të paktën mjerimin që kisha nuk do e kem më. Nuk po ndalem të tregoj vuajtjet, por të paktën dy herë kam tentuar të vetëvritem kur fëmijët më kërkonin bukë dhe bukë nuk kisha, një vit më parë së bashku me gruan kemi udhëtuar në këmbë nga Tirana për në Pukë dhe mbeta pa lekë. Jam detyruar të kthehem në këmbë, kjo ishte jeta ime. Ju falënderoj me shpirt ju si media në radhë të parë dhe përzemërsisht të gjithë ato persona që dërguan ndihma dhe nuk do i harroj për sa të jem gjallë dhe Zoti iu shpërbleftë me mirësi në fëmijë dhe familjet e tyre”, tha Besniku.

Ndërkohë, plaka 71 vjeçe, Bube Dizdari, shprehet se “Nuk kam pasur gëzim më të madh në jetën time, kisha merak se po vdisja duke i lënë fëmijët me bukë e kripë. Por sa erdhën ndihmat, fëmijët që ishin këmbëzbathur, u veshën me çorape dhe këpucë, ndërsa nusja filloi të gatuante supë dhe makarona, kjo për ne është mrekulli, pasi nuk kishim bukën e gojës. I falënderojmë me shpirt e zemër dhe Zoti i shpërbleftë të gjitha ato që ndihmuan dhe vazhdojnë të ndihmojnë.

Tashmë fëmijët Besada, Rikardo dhe Emiljano, janë veshur me rroba të bukura, i gjen duke luajtur me lodra nga më të ndryshmet dhe ushqimi i tyre tashmë nuk është më vetëm bukë e kripë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel