Plani urbanistik, ndërtime me tetë kate

21/12/2012 00:00

Bashkia e kryeqytetit bën gati planin urbanistik të Tiranës. Dokumenti
me katër “vëllime” bën një përshkrim të situatës aktuale në të gjithë
sektorët në kryeqytet, duke përfshirë: investimet, punësimin, turizmin,
arsimin, shëndetësinë, çështjet sociale, ndërtimet, problemet e
zhvendosjes së popullatës, problemet me mjedisin dhe gjithçka tjetër që
lidhet me zhvillimin vendor.

Hartat, politikat e zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë, rregullore e planit të përgjithshëm të bashkisë, si dhe vlerësimi strategjik mjedisor i planit urbanistik janë katër dokumentet kryesore të masterplanit, i cili pritet të miratohet ditën e hënë në Këshillin Bashkiak para kalimit në KRRTRSH. Në planin urbanistik parashikohet zhvillimi, strategjia, projektet dhe investimet vendore për përmirësimin e gjendjes social-ekonomike e kulturore në kryeqytet, si dhe përshkruhen të gjitha problemet që hasen në Tiranë nga vitet ‘90 e deri sot. Pjesa me më shumë impakt në këtë kohë mbeten ndërtimet, proces i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh, zhvillimi i pronës për pronarët, por edhe e ardhmja e ndërtesave aktuale.

Në transport investimi më i madh është ndërtimi i tramvajit, ndërkohë që parashikohet Tirana me shumë qendra dhe ndërtimi i katër unazave të tjera që pritet të lehtësojë trafikun.

Në rast se brenda territorit të nënnjësisë strukturore përfshihen edhe struktura të pallateve të ndërtuara përpara viteve ’90, plani i detajuar vendor nuk do të përfshijë në studim për zhvillim apo rizhvillim këto struktura dhe hapësirat e hapura rreth tyre, me përjashtim të rasteve kur për arsye të qëndrueshmërisë konstruktive të këtyre strukturave, parashikohet prishje e tyre. Këto struktura dhe hapësirat e hapura rreth tyre, mund t’i nënshtrohen ristrukturimit sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje.

Në territoret brenda unazës së tretë të qytetit dhe/ose përbri akseve kryesore radiale, sipas rrjetit rrugor të planit të përgjithshëm të qytetit, si edhe në zonat me prioritet zhvillimi, lejohet zhvillimi i strukturave me karakteristika të veçanta, sidomos sa i përket arkitekturës së tyre, të cilat mund të trajtohen me tregues zhvillimi më të lartë se maksimumet e lejuara për nënnjësinë strukturore brenda së cilës zhvillohen, kushte dhe norma zhvillimi të veçanta, me kusht që: struktura të sjellë vlera të veçanta arkitektonike për qytetin, të ketë përdorim shërbim publik në mbi 30% të sipërfaqes së ndërtimit, si dhe funksioni publik të jetë në shërbim të qytetit, dhe jo vetëm të nënnjësisë ku bëhet ky lloj zhvillimi.

Aktualisht në nënnjësi për kategorinë banim, mbizotëron struktura e mesme, ish-banesa shtetërore të ndërtuara para viteve ’90, të cilat zënë rreth 65% të strukturave të vendosura në nënnjësi. Ndërhyrja në territor do të bëhet sipas propozimeve të PDV, të cilat duhet të mbajnë në konsideratë përmirësimin dhe shtimin e infrastrukturave publike për nënnjësinë.

Përjashtimisht për pallatet e ndërtuara para viteve ’90 mund të lejohen shtesa horizontale deri në 20% të sipërfaqes së godinës ekzistuese dhe/ose vertikale deri në një kat për përdorim banim, ristrukturime, ose ndryshime të fasadave, pa prekur vijën e ndërtimit, apo përdorimeve gjithmonë brenda kategorisë banim, edhe përpara miratimit të PDV-së për nënnjësinë.

Sipas rregullores së planit, të gjitha strukturat duhet të lidhen me rrjetet infrastrukturore të ujit të pijshëm, kanalizimeve, ujërave të shiut, energjisë elektrike, si dhe shërbimit të grumbullimit të mbeturinave. Lidhjet duhet të jenë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe specifikimet teknike

Top Channel