Real mund City-n, zhgënjen Milan

18/09/2012 23:00

Cristiano Ronaldo i jep 3 pikët e para në Ligën e Kampione Realit ndërkohë që Mourinho feston në fund sikur të kishte fituar kompeticionin.

Edhe pse ishte dy herë në disavantazh Real Madrid përmbysi rezultatin dhe mposhti 3-2 Manchester Cityn e Mancinit, skuadër kjo e cila ishte shumë pranë surprizës së madhe.

Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në pjesën e dytë ku brenda 20 minutave u shënuan 5 gola. Edin Dzeko kaloi anglezët në avantazh, Marselo barazoi rezultatin. 5 minuta nga fundi Kolarov shënoi golin e dytë për Cityn dhe atëherë kur u mendua se skuadra e milionave arabë do të dilte triumfuese nga Bernabeu, Benzema dhe Cristiano Ronaldo rikthejnë buzëqeshjen tek tifozët spanjoll të cilët kanë ndjekur ndeshjen ndoshta më emocionuese të këtyre muajve të fundit.

PSG ka shkatërruar 4-1 Dinamon e Kievit duke treguar se do të jetë një pretendente e fortë për këtë sezon. Golat për skuadrën e Ancelotit u shënuan nga Alex, Pastore, Tiago Silva dhe Ibrahimovic.

Ndërkohë që dy ish- lojtarët e saj shënojnë për skuadrën franceze, Milani zhgënjeu në San Siro, 0-0 përballë Anderlehtit ndërkohë që në fund ekipi i Alegrit u protestua nga tifozët kuqezi.

Arsenali dhe Shalke kanë fituar ndeshjet e para në transfertë. 2-1, ishte fitorja e tyre respektivisht përballë Montpellier dhe Olimpiakos.

Ndryshe nga një sezon më parë ku nuk mori asnjë fitore, këtë vit Borusia Dormtund e ka nisur mbarë Championsin. Kampionët e Gjermanisë mundën 1-0 Ajaksin falë golit të Levandovskit në fund të ndeshjes.

Top Channel