
Ish-presidenti i FIFA-s Joao Havelange akuzohet se ka marrë miliona dollarë rryshfet nga kompania e marketingut, e falimentuar tashmë, ISL.
Sipas dosjes hetimore të publikuar nga vetë organi më i lartë i futbollit botëror, Havelange dyshohet të ketë përfituar të paktën 1.5 milion franga zvicerane (rreth 1 milion euro) nga ISL për të favorizuar këtë kompani në mbi disa të drejta të transmetimit të ndeshjeve të futbollit. Kjo shumë konsiderohet vetë si maja e ajsbergut e korrupsionit galopant të FIFA-s gjatë presidencës së tij.
Në dokumentet e publikuara përmendet edhe emri i Ricardo Teixeira, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Teixeira dyshohet se ka marrë rreth 10 milion euro nga e njëjta kompani. Havelange dhe Teixeira, atë e bir ( i birësuar), që të dy me kombësi braziliane janë dy emrat e vetëm që përmenden në dosjen voluminoze të hetuesve zviceranë që po hetojnë korrupsionin në FIFA.
Hetuesit thonë se që të dy ata, kanë ofruar 5 milion euro në këmbim të ruajtjes së sekretit të identitetit të tyre gjatë hetimeve, por kjo është hedhur poshtë.
Joao Havelange udhëhoqi FIFA-n për 24 vite me radhë, deri në zëvendësimin e tij nga Sepp Blater në vitin 1998. Aktualisht, 96-vjeç ai ndodhet i shtruar në një nga spitalet e Rios pasi vuan prej kohësh nga një sëmundje.
I biri i adoptuar i përfshirë në korrupsion, Ricardo Teixeira ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, drejtoi deri në fillim të këtij viti edhe federatën braziliane të futbollit. Ai dha dorëheqjen nga të dyja postet me argumentimin “për shkaqe shëndetësore”.
Analistët thonë se përfshirja e ish-zyrtarëve të lartë të futbollit brazilian në një skandal të korrupsionit në përmasa të tilla, godet përgatitjet e Brazilit për organizimin e kupës së botës që do të mbahet në vendin amerikano-latin në vitin 2014.
Top Channel