“Për të gjithë ne që e pëlqejmë futbollin e bukur Spanja është një dhuratë. Të shohësh atë lloj futbolli është kënaqësi. Ata që nuk e pëlqejnë këtë lojë duhet të kenë kërkesa shumë të larta.”
Këto janë fjalët e Laurent Blanc, trajnerit të Francës, i cili të shtunën duhet të gjejë mënyrën për të mundur pikërisht Spanjën dhe modelin e saj të lojës me shumë pasime ose siç quhet ndryshe tiqui-taca.
“Spanja ka filozofinë e Barcelonës dhe në këto 5 vitet e fundit ka krijuar diçka speciale. Është një ekip i mrekullueshëm dhe kritikat ndaj tyre janë të padrejta”, shtoi tekniku i “Gjelave”.
Blanc duket i “nënshtruar” në aspektin e zotërimit të lojës: “E dimë që do e kemi të vështirë të bëjmë lojën tonë. Duhet të përshtatemi sa më mirë, të mbrohemi mirë dhe të shfrytëzojmë rastet që na paraqiten. Askush deri më sot nuk ka gjetur mënyrën për të mundur Barcelonën apo Spanjën.”
Edhe pse në ndeshjen e fundit të grupit D ndaj Suedisë, Franca bëri një paraqitje shumë të dobët duke u mundur 2-0, Blanc nuk është aspak i shqetësuar: “Do të jetë një ndeshje ndryshe dhe shpresoj që atë që kishim për të bërë keq ta kemi bërë tashmë.”
Ndeshja Spanjë-Francë do të luhet të shtunën (ora 20.45) në Donetsk të Ukrainës.
Top Channel