Ndërsa Interi është duke përjetuar momentin më të hidhur të sezonit, pas eliminimit nga Champions League dhe me vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit në kampionat, një veteran si Dejan Stankovic jep një mesazh optimizmi.
”Sezoni nuk ka përfunduar ende dhe nëse jo gjithçka, diçka mund të rikuperohet”, deklaroi serbi të premten në shtypin italian. “Sinqerisht, nuk ndiej se ky ekip mund të shpërbëhet dhe të vazhdojë rënia e lirë deri në fund të sezonit. Unë nuk jam i gatshëm të dorëzohem dhe këtë shpirt luftarak konstatoj edhe tek shokët e mi”.
Në deklaratën e tij, Stankovic kundërshtoi bindjen se ekipi është ngopur nga sukseset, ndërsa shprehu besimin e tij tek mundësia e Morattit për të udhëhequr një projekt që do të rikthejë zikaltërit drejt titujve.
”Përballë Marsejës, emocionet që provuam ishin shumë të forta. Fatkeqësisht negative, por shumë të forta dhe kjo do të thotë që ky ekip ka ende shumë dëshirë për të fituar. Mbështetja e marrë nga tifozët tanë, ndonëse në një ditë të tillë të vështirë, ishte shumë domethënëse. Atyre që nuk kanë më besim tek ne, u them vetëm se Moratti është presidenti më i mirë që mund të ketë një skuadër dhe ai do të dijë të bëjë ndërhyrjet e duhura për të rikthyer Interin në majë”.
”Në sport, ashtu si në jetë, mund të bëhen zgjedhje të duhura apo të gabuara, por në këto vite tek Interi, kam parë të kalojnë shumë futbollistë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i paaftë apo pa dëshirë për t’u përkushtuar. Kritikëve u them që Moratti nuk do të tërhiqet asnjë centimetër dhe këtë keni për ta parë të gjithë në verë”.
Një revolucion i fortë është paraljmaëruar të ndodhë në sezonin e ardhshëm, me shumë lojtarë të “gardës së vjetër” që pritet të largohen, por Stankovic këmbëngul se ai do të vazhdojë të jetë edhe përtej këtij sezoni.
”Unë kam edhe dy vite kontratë dhe në momentin që do të kuptoj se nuk mund të jap më asgjë për këtë skuadër, do të jem i pari që do të kërkoj largimin. Megjithatë, mendoj se ky moment nuk është ende afër”, deklaroi mesfushori.
Top Channel