Bayern-i rikthehet te fitorja, kampionët e Gjermanisë mundin me vuajtje surprizën e bukur të këtij sezoni

13/09/2026 21:19

Bayern Munich është rikthyer te fitorja në Bundesligë, duke mposhtur 2-1 Elversbergun në transfertë pas një ndeshjeje më të vështirë nga sa pritej.

Bavarezët kaluan në avantazh në pjesën e parë me Lennart Karl, i cili përfitoi nga një aksion i mirë i Saibari dhe dërgoi topin në rrjetë.

Elversbergu reagoi pas pushimit dhe barazoi në minutën e 60-të me Maurice Krattenmacher, ish-futbollistin e Bayern, i cili realizoi një goditje të bukur drejt këndit të portës.

Megjithatë, barazimi zgjati pak. Harry Kane riktheu avantazhin për Bayern, duke shënuar me një goditje të saktë brenda zonës dhe duke i dhënë skuadrës së tij tre pikët.

Në minutat e fundit, Bayern menaxhoi avantazhin dhe pati edhe disa mundësi për të mbyllur përfundimisht takimin. Elversberg tentoi të rikthehej në lojë, por mbrojtja bavareze rezistoi deri në vërshëllimën finale.

Me këtë sukses, Bayern shkon në 7 pikë pas tri ndeshjesh, duke u rikthyer te rezultatet pozitive në kampionat.

Bavarezët do të zbresin sërish në fushë të premten, kur do të presin Union Berlin në Bundesligë.

Top Channel