Elbasani ka marrë një fitore të madhe në shtëpi, duke mposhtur 2-1 Egnatian dhe duke i shkaktuar skuadrës rrogozhinase humbjen e parë të sezonit.

Për verdheblutë, kjo ishte njëkohësisht fitorja e parë në këtë sezon.

Ndeshja në Elbasan prodhoi tre gola brenda pak minutash në fundin e pjesës së parë. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 41-të, kur Nikaj përfitoi nga një pasim i Mazarit dhe me një goditje diagonale mposhti Dajsinanin.

Egnatia reagoi menjëherë dhe në minutën e 44-t barazoi shifrat. Montenegro përfitoi nga një krosim i Loukilit dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.

Megjithatë, Elbasani nuk u dorëzua dhe në shtesën e pjesës së parë gjeti sërish avantazhin. Nikaj realizoi golin e dytë personal pas një aksioni individual, duke shmangur dy kundërshtarë dhe duke mposhtur portierin e Egnatias.

Në pjesën e dytë, Egnatia u përpoq të reagonte dhe pati disa raste për të barazuar. Elbasani u vendos më mirë në mbrojtje dhe rezistoi deri në fund, pavarësisht presionit të miqve.

Në minutat e fundit pati edhe momente tensioni dhe protesta për disa vendime të gjyqtarit, por rezultati nuk ndryshoi.

Kështu, Elbasani regjistron fitoren e parë të sezonit, ndërsa Egnatia pëson humbjen e parë dhe largohet pa pikë nga transferta në Elbasan.

REZULTATI:

AF Elbasani 2-1 Egnatia

Nikaj 41’, 45+2’ / Montenegro 44’

Top Channel