Njeriu më i gjatë në botë pushon së zgjaturi

14/03/2012 17:20

Njeriu më i gjatë në botë (244 cm) ka ndaluar më në fund së zgjaturi, si rrjedhojë e një trajtimi të suksesshëm, që ka bllokuar sindromën e rrallë nga e cila vuan.

29-vjeçari Sultan Kosen, i cili është një bujk turk, vuan nga një çrregullim i rrallë, i quajtur akromegali, i cili bën që trupi të vazhdojë të prodhojë pa pushim hormone rritjeje.

Gjendja e Kosen besohet se u shkaktua nga një tumor i vogël në hipotalamusin e trurit, që manipuloi ndër vite funksionimin e gjëndrës së rritjes.

Mjekët menduan se ai u shërua kur i hoqën tumorin në vitin 2008, por turku vazhdoi të rritej me tre centimetra në vit, duke shkuar deri në 2,44 metra, gjatësinë që pritet të ketë për të gjithë pjesën e mbetur të jetës së tij.

Ishte një Universitet në Virxhinia, SHBA, ai që zhvilloi një kurë eksperimentale, e cila ka zvogëluar deri në minimum prodhimin e hormonit që shkakton rritjen. Pa këtë ndërhyrje, Kosen do të ishte në rrezik vdekje brenda pak vitesh, pasi organet e brendshme dhe arteriet nuk po e përballonin dot më ritmet me të cilat ai vazhdimisht zmadhohej.

29-vjeçari, i cili vesh këpucë me numër 72, të bëra me porosi, tashmë mund t’i rikthehet “normalitetit” të jetës së tij, si njeriu më i gjatë në botë. “Sidoqoftë, jam shumë i kënaqur që jam i gjatë”, shprehet fermeri.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel