Itali, gjendet vepra e fshehur e Da Vinçit?

13/03/2012 00:00

Disa kërkues në Itali deklarojnë se mund të kenë zbuluar gjurmë të një
vepre të Leonardo da Vinçit, e fshehur në një afresk fiorentinas.

Dyshimet bënë që kërkuesit të bënin disa shpime në veprën Beteja e Marcianos të Giorgio Vasari-t, në Palazzo Vecchio, ku u gjetën pigmente të zeza të përdorura në portretin e Mona Lizës.

“Këto të dhëna janë shumë inkurajuese”, deklaroi drejtuesi i projektit, Maurizio Seracini, ndonëse historianët italianë pranuan në një konferencë për shtyp se kërkimi i tyre nuk ishte përfundimtar. Ata shtuan se analiza të tjera kimike duhet të kryhen.

“Edhe pse ne jemi ende në fazat paraprake të kërkimit dhe ka ende shumë punë për të bërë për të zgjidhur këtë mister, provat e gjetura sugjerojnë se ne jemi duke kërkuar në vendin e duhur”, deklaroi Seracini, që punon në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Kërkimet zbuluan gjithashtu vernik të kuq dhe pigment kaf në murin e fshehur. Kërkimet kanë shkaktuar shumë polemika, me disa ekspertë arti që do të firmosin një peticion për të ndalur kërkimet, me pretendimin se shpimi i murit po dëmton punën e Vasarit.

Tomaso Montanari, një historian arti që ka drejtuar fushatën kundër kërkimeve, ka deklaruar se nuk e konsideron burimin e zbulimeve të besueshëm.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel