Meteori “i frikshëm” ishte sa një pjepër

05/03/2012 16:55

Një meteor i frikshëm i raportuar nga këmbësorë të shumtë në të gjithë Britaninë ishte në fakt vetëm një copë guri me dimensionin e një pjepri.

Të paktën, këtë pretendon një kopshtare, e cila gjeti copën e “meteorit” duke shëtitur qenin e saj në Redkar, në Anglinë e Jugut.

Vetëm disa orë përpara se ajo të gjente objektivin misterioz në oborrin e shtëpisë së saj, bashkëshorti i foli për një dritë të çuditshme në qiell dhe një shpërthim të fuqishëm pranë shtëpisë së tyre.

Pa dijeninë e çiftit, në orën 21:40 të ditës së shtunë, disa qindra telefonata mbërritën në centralet e policisë në Britani, për të raportuar një meteor që kishte përflakur qiellin.

Fenomeni, i cili mund të shikohej me sy të lirë për vetëm disa sekonda, u kap në disa fotografi spektakolare në aparatët celularë e fotografikë të personave që ishin duke ecur në ambient të hapur në atë moment.

Duke folur për gurin, Joanne theksoi se ai ishte veçanërisht i rëndë për madhësinë që kishte dhe i ngrënë nga të gjitha anët, shenjë e një djegie të mundshme të ndodhur në temperaturat prej mijëra gradësh me të cilat përballet një objekt që hyn në atmosferën e Tokës.

Guri është i mbushur edhe me disa pika të bardha misterioze, të cilat gruaja nuk di t’i japë shpjegim. Nuk përjashtohet mundësia që ajo që ka gjetur britanikja të jetë vetëm ajo që mbetet nga një meteor madhor, i djegur në kontakt me atmosferën.

Disa qindra mijëra fragmente qiellore qarkullojnë në distancën midis Marsit dhe Jupiterit. Për shkak të forcave të ndryshme gravitacionale, disa dhjetëra prej tyre drejtohen çdo vit drejt Tokës, ku janë të destinuar të digjen në kontakt me atmosferën, duke dhuruar një spektakël të rrallë në zona të ndryshme të globit.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA