Kurani, vriten dy ushtarë të NATO-s

01/03/2012 09:15

Komanda e NATO-s në Afganistan ka njoftuar se dy ushtarë të saj janë qëlluar për vdekje në një bazë në jug të vendit.

Sipas njoftimit, ushtarët janë qëlluar në provincën e Kandaharit nga një anëtar i Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe nga një person tjetër i veshur civil.

Por autoritetet në rajonin Zheraj deklarojnë se vetëm një person, që ndodhej në bazë për t’u mësuar afganëve letërsi, hapi zjarr ndaj ndërkombëtarëve.

Korrespondenti i BBC në Kabul, Bilal SarWary deklaron se ende nuk është e qartë se si një mësues lejohej të qendronte në bazën ushtarake dhe të kishte akses tek armët.

Allen: T’i lëmë pas protestat për Kuranin

Më herët para atentatit komandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali
John Allen deklaroi se protestat e fundit të shkaktuara nga djegia e
Kuranit nga ushtarët amerikanë kanë qenë një “pengesë”.

Gjenerali Allen tha se bashkëpunimi i misionit të NATO-s me shërbimet afgane të sigurisë do të vazhdojë. Protestat kanë shkaktuar 30 të vdekur, mes të cilëve 4 ushtarë amerikanë.

Allen nënvizoi se ishte i gatshëm të futej i çarmatosur në selinë e Ministrisë së Brendshme afgane, ku dy këshilltarë ushtarakë të NATO-s u qëlluan për vdekje ditën e shtunë.

Vrasësi i tyre dyshohet se ka qenë një oficer i policisë sekrete afgane. Gjenerali Allen shtoi se reagimi i afganëve pas djegies së librit të shenjtë nuk ishte një surprizë për të.


Personeli amerikan e vendosi Kuranin
, që sipas mediave u ishte konfiskuar disa terroristëve, në një pirg mbeturinash që digjeshin në bazën ajrore të Bagramit, në afërsi të Kabulit.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si fjalën e Zotit dhe trajtojnë çdo kopje të tij me respektin maksimal.

“Ne duhet ta kuptojmë domethënien e besimit të madh të Islamit për këta njerëz dhe duhet ta marrim parasysh atë. Por ajo që ndodhi nuk i zhbën marrëdhëniet tona”, deklaroi Allen.

Deklaratat e gjeneralit janë pasuar nga ato të ambasadorit amerikan në Afganistan, Ryan Crocker, i cili tha për BBC se nuk ka pasur “prishje të përhershme” të marrëdhënieve me Afganistanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA