Irani ka nisur një stërvitje detare 10-ditore, e cila mund të ndezë një konflikt të ri midis SHBA-së dhe vendit të madh aziatik, pasi në zonën e përzgjedhur ndodhen disa anije luftarake amerikane.
Stërvitja, e quajtur me emrin “Velayat”, që në persisht do të thotë epërsi, do të realizohet në ngushticën e Hormuzit dhe pranë Gjirit të Adenit, në Detin e Kuq.
Aktualisht, Teherani përballet me një presion ndërkombëtar gjithmonë e në rritje për shkak të vendimit të tij për të mos hequr dorë nga programi bërthamor. Një stërvitje e tillë, sipas mediave ndërkombëtare, është një shfaqje e qartë force nga ana e Iranit.
Admirali Habibollah Sayyari, drejtuesi më i lartë i flotës detare, u shpreh se stërvitja do të dëshmojë për përgatitjen e lartë dhe kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Ai shtoi se në ushtrim do të marrin pjesë nëndetëse, torpedinerë, avionë luftarakë dhe do të lëshohen raketa manovre.
Vendi i zgjedhur nga Irani për të realizuar këtë stërvitje është veçanërisht shqetësues, pasi njësi amerikane ndodhen në zonë, ndërsa Gjiri i Hormuzit frekuentohet nga shumica e anijeve naftësjellëse në botë.
Top Channel