Federata Shqiptare e Futbollit pak orë para ndeshjes së madhe
Shqipëri-Francë deklaron se skuadra është e përgatitur për takimin,
ndërsa shpreson për lojë të bukur dhe për rezultat pozitiv.
“Do të ndeshemi si të barabartë me Francën. Të gjithë shqiptarët të jenë me zemër të bashkuar për kombëtaren dhe kombin”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.
Ndërkohë një ditë më parë trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, theksoi se ekipi i tij do të ndeshet me një nga skuadrat më të mira në Europë, por deklaron se kjo nuk e ndalon atë dhe të gjithë skuadrën kuqezi të mendojnë për një rezultat pozitiv.
“Nuk mund të pretendojmë që ndaj Francës të kemi një dominim të lojës dhe presim që ata të mbajnë topin më shumë se ne. Por kjo nuk do të thotë që ne vetëm do të mbrohemi, ne do të mundohemi ta kapim në kundërsulm. Vendosja e Currit në mesfushë është një frymëmarrje për ne, pasi ai është agresiv, mund të futet në duel dhe mund të rrezikojë në zonën kundërshtare me topat e lartë. Kjo zgjedhje është edhe për shkak të formës së mirë që po kalon Teli”, shprehet Kuzhe.
Ndërsa trajneri i Francës Loren Blank, në konferencën që ka dhënë për mediat shqiptare u shpreh se ekipi shqiptar i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar.
Megjithë këtë respekt, sigurisht që objektivi i tyre për këtë ndeshje janë tre pikët që do t’i japin mundësinë për të vazhduar qëndrimin në krye të grupit.
“Përgatitjet tona janë gjithmonë për fitore, jo vetëm me Shqipërinë por me këdo. Kjo është gjëja më e thjeshtë për të thënë paraprakisht. Edhe barazimi është pjesë e ndeshjes. Ka takime që barazimi konsiderohet fitore, por ka ndeshje që barazimi konsiderohet si humbje”, shprehet trajneri i përfaqësueses franceze.
Shqipëri-Francë, policia merr masa
Policia e Tiranës merr masa për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Francë, që zhvillohet të premten në mbrëmje.
Gjatë ditës së sotme nga ora 14.00 deri në mesnatë do të bllokohen rrugët që të cojnë drejt stadiumit dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia” dhe pranë stadiumit.
Policia e kryeqytetit bëri të ditur se do të ushtrohet kontroll i imtësishëm i tifozëve që do të hyjnë në stadium.
“Qemal Stafa” gati për Francën
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” do të jetë gati për sfidën e të premtes. Drejtori i këtij impianti, Viron Bezhani ka pohuar se falë bashkëpunimit me FSHF-në, me Drejtorinë e Ujësjellsave dhe me Drejtorinë e Policisë, fushat dhe ambientet e tjera kanë ndryshuar pamje.
“Mendoj se i kemi marrë të gjitha masat. E kemi lyer të gjithë stadiumin”, tha Bezhani.
“Nuk besoj se kjo do të jetë ndeshja e fundit. Do të përgatitemi edhe për ndeshjen me Rumaninë”, theksoi ai.
Femijët kërkojnë fitore
Fëmijë nga grupmosha të ndryshme kanë kërkuar nga futbollistët e kombëtares fitore ndaj Francës.
Lojtarët kuqezi të cilët kanë vizituar një nga kopshtet e kryeqytetit u kanë premtuar jo vetëm tifozëve, por edhe fëmijëve për një ndeshje të bukur dhe me një rezultat pozitiv.
“Shpresojmë që fëmijët të sjellin kualitet në fushë në të ardhmen”, u shpreh Lala.
“Shpresojmë të luajmë sa më mirë dhe të bëjmë një ekip sa më të mirë kundër Francës”, tha Bogdani.
Të premten në ‘Qemal Stafa’ do t’i japë lamtumirën kombëtares shqiptare dhe futbollisti Alban Bushi. Ish-shokët e tij në përfaqësuese i kanë dhuruar Bushit dhe një trofe si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares.
Top Channel