
Behgjet Pacolli, njeriu që e drejtoi shtetin e Kosovës për vetëm 35 ditë, është emëruar zëvëndëskryeministër i parë në qeverinë e Kosovës. (UPDATE)
Këtë vendim e ka marrë kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa Pacolli do të jetë i ngarkuar i veçantë për të siguruar njohje për shtetin e Kosovës si dhe për të sjellë investime të huaja.
Vendimi vjen vetëm pak kohë pasi vendin e Behgjet Pacollit në Presidencë e ka zënë Atifete Jahjaga dhe për pasojë marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Koalicionit për Kosovën e Re ka filluar të rishikohet.
Sipas marrëveshjes së mëhershme të lidhur ndërmjet Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit, këtij të fundit i takonte posti i presidentit, të cilin tani e mban zonja Jahjaga, një kandidate konsensuale që e mori këtë post pas marrëveshjes ndërmjet tri partive, PDK-së, LDK-së dhe AKR-së.
“Pozita e presidentit të Republikës që ka qenë më herët marrëveshje e koalicionit, i ka takuar AKR-së, e cila nuk është në pozitë që t’i takojë asaj dhe do bëjmë një ballancim të ri që do të thotë një barazpeshë, brenda qeverisë”, deklaroi Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Nga ana tjetër pavarësisht kritikave nga subjektet politike opozitare për marrëveshjen e re ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, për kreun e qeverisë kosovare shtetet e rajonit duhet të marrin model Kosovën.
“Është një lajm që i ka munguar Kosovës, por edhe vendeve në rajon. Kjo është një model i mirë edhe për rajonin, sepse do ta zhvillojmë raportin pozitë-opozitë dhe do të punojmë bashkë për interesat e shtetit”, theksoi Thaçi.
Këtë deklaratë kryeministri Thaçi e bëri në mbledhjen e qeverisë që u mbajt vetëm pak kohë pasi që ai uroi presidenten Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e re.
Top Channel