Kontrabanda, PS akuza Berishës

16/03/2011 13:55

Skandali i naftës ka qenë sërish në qendër të akuzave të Partisë Socialiste ndaj qeverisë. Deputeti Taulant Balla shënjestroi kryeministrin dhe njerëzit pranë tij.

“E si ka mundësi që një shtet i tërë mos t’i ketë rënë në gjurmë një krimi me përmasa të tilla? Shpjegimi është i thjeshtë: ai quhet Agron Kulicaj, me profesion badigard i Saliut, i mbajtur në punë nga Lulzim Basha si nëndrejtor i përgjithshëm i policisë, për të fshehur pisllëqet e Saliut. Asgjë më mirë se ky fakt nuk tregon se cfarë regjimi mafioz ka ngritur Saliu”, deklaroi Balla.

Për socialistët heshtja e kryeministrit është një tregues i fajësisë së tij që tashmë, sipas tyre, është e provuar nga faktet e dala në dritë nga hetimi.

“Fol, Sali Berisha, tregoju shqiptarëve për ndonjë kompani off-shore të njërit prej të arrestuarve në ortakëri me një pjestar të familjes tënde, i cili del në skenë sa herë dalin në dritë aktivitete mafioze e kontrabandë”, theksoi Balla.

Deputeti Balla në përfundim tha se drejtësia vonon por nuk harron, duke paralajmëruar në këtë mënyrë të gjithë ata që spas tij po grabisin pasuritë e shqiptarëve.

Top Channel