PD sulmon Ina Ramën

23/01/2011 15:35

“Kam ardhur këtu për t’u solidarizuar me këta heronj dhe për t’i thënë Edi Ramës, pavarësisht se skenari i puçit të shtetit ende nuk ka përfunduar, ai nuk mund të rrëzojë qeveri të ligjshme me dhunë”.(UPDATE)

Kjo është deklarata e parë paralajmëruese zyrtare e bërë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pasi vizitoi policët e plagosur në Spitalin Ushtarak, se mandat-arrestet për drejtuesit e Gardës së Republikës nuk do të zbatohen.

Por ky është vetëm fillimi i qendrimeve të përfaqësuesve të mazhorancës, që marrin shkas nga 6 mandat-arreste të prokurorisë për drejtues të lartë të Gardës së Republikës, të akuzuar për vrasje. Kur u pyet cfarë kishte parasysh me puc shteti zonja Topalli u përgjigj se kishte parasysh të gjitha zhvillimet e ndodhura dje dhe sot.

Pas kësaj fjalie që lidhet drejtpërsëdrejti me mandat-arrestet ende të paekzekutuara nga policia, zonja Topalli u largua kur u pyet nëse në puçin e shtetit përfshinte edhe prokurorinë.

Por pyetjes iu dha përgjigje vetëm 30 minuta nga dy deputetë të Partisë Demokratike. E para Mesila Doda që foli në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke akuzuar drejtpërsëdrejti kryeprokuroen, Ina Rama si aktore në puçin e shtetit.

“Dje, dasmorja e Edi Ramës, Ina Rama hoqi çdo maskë dhe dëshmoi se është fund e krye pjesë dhe aktore e grushtit të shtetit. Urdhri i arrestit i 6 komandantëve të gardës është lëshuar dje nga Ina Rama, pa asnjë hetim në përpjekje për të dërguar pas hekurave mbrojtësit e institucioneve. Ky urdhër është lëshuar me qëllimin e vetëm për të lënë pa kokë e pa mbrojtje Gardën e Republikës dhe mbrojtësit e institucioneve të vendit. Qëllimi i këtij akti kriminal është të bëjë më të lehtë sulmin e dhunën ndaj institucioneve të tjera të vendit, në mënyrë që t’i hapë rrugë falangave kriminale të Edvin Ramës”, deklaroi deputetja Doda.

Pas lëshimit të mandat arresteve Partia Demokratike nuk bën asnjë dallim mes kryesprokurores Ina Rama dhe kreut të opozitës, Edi Rama.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka fakte të pakundërshtueshme të Ina dhe Edvin Ramës, përfshirë  dhe ditën djeshme. Sot i deklarojmë Ina dhe Edvin Ramës se fundi i tyre dhe gjithë të tjerëve , ideues dhe zbatues të grushtit të shtetit do të jetë ligjor, i sigurtë, i pashmangshëm”, tha Doda.

Menjëherë pas kësaj deklarate, nëpërmjet sekretarit të grupit parlamentar, mazhoranca e cilësoi të paligjshëm nxjerrjen e mandat-arresteve për drejtuesit e Gardës së Republikës.

Duke cituar nenin 253 të Kodit të Procedurës Penale, mazhoranca thotë se urdhri duhet bazuar në prova për krime dhe prova se personat rrezikojnë të arratisen, që sipas mazhorancës prokuroia nuk i ka.

“Asnjë provë, asnjë e dhënë, asnjë dyshim, asnjë ekspertizë apo eksperiment nuk ngarkon me përgjegjësi qoftë edhe administrative drejtuesit e Gardës së Republikës. Le ta bëjë publik prokuroria Urdhërin e Ndalimit që ta kuptojnë shqiptarët sesa rëndë ka abuzuar prokuroria me ligjin. Drejtuesit e Gardës janë sot në detyrë, në gatishmëri absolute, në mbrojtje të shtetit dhe rendit kushtetues, sepse puçi i shtetit ende nuk ka mbaruar”, u shpreh Eduard Halimi.

Mazhoranca i është referuar edhe një tjetër neni penal, që sipas tyre nuk i jep të drejtë prokurorisë në veprimin e ndërmarrë kundër drejtuesve të Gardës së Republikës.

“I kujtoj Prokurores së Përgjithshme, publikisht vetëm një nen të Kodit të Procedurës Penale, dhe i kërkoj publikisht të reflektojë, nenin 254 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se: Arrestimi ose ndalimi, nuk lejohet kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejte, ose kur ekziston shkak padënueshmërie”, deklaroi deputeti demokrat.

Mazhoranca ka edhe një kërkesë tjetër ndaj prokurorisë, që lidhet me organizatorët e protestës.

“I kujtoj Prokurores së Përgjitheshme, se vetëm arrestimi dhe dënimi i ashpër, i nxitësve dhe organizatorëve është garancia e vetme që ne kërkojmë, se edhe prokuroria po kryen funksionin kushtetues për mbrojtjen e institucioneve të vendit dhe rendit kushtetues”, përfundoi fjalën e tij, deputeti Halimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA