Messi fiton Topin e Artë

09/01/2012 00:00

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Lionel Mesi bën një tris të artë duke u shndërruar në një “diktator” të trofeve.

Në vitin e Barcelonës edhe lojtari më i mirë i vitit që fiton Topin e Artë është pikërisht ai, Mesi, i cili për të tretin vit rradhazi mban në duart e tij edhe trofeun e artë vec trofeve të shumtë që ka fituar me skuadrën, duke u ngjitur përfundimisht në majën e Olimpit të individualistëve.

Më parë se argjentinasi janë tre yje të tjerë të futbollit botërorë që e kanë fituar tre herë këtë trofe, Platini, Van Basten dhe Krojf, por vetëm francezi është njësoj me Mesin, pasi e ka fituar tre herë rradhazi në vitet 1983, 84 e 85.

Ndërkohë trofeun e trajnerit më të mirë të vitit e ka fituar sërish një pjestar i Barcelonës, pikrëisht Pep Guardiola me rekordet e frikshme nën drejtimin e kësaj skuadre. Spanjolli mundi në këtë garë dy konkurentët e tjerë, Sër Aleks Ferguson dhe Hose Mourinjo.

Nga ana e tij, skocezi u nderua edhe me një çmim për karrierën. Në vitin e shkuar, Barça e Messit dhe Guardiolës arriti të fitonte pesë nga gjashtë titujt që diskutoi, kampionatin, Champions League, Botërorin e Klubeve, Superkupën e Europës dhe atë të Spanjës.

I vetmi titull që katalanasit nuk mundën dot të siguronin ishte Kupa e Spanjës, pasi në finale u mposhtën falë një goli të vetëm të Cristiano Ronaldos.

Deri në vitin 2009, për futbollistin më të mirë të vitit jepeshin dy çmime paralele, ai i “Topit të Artë” të “France Football” dhe çmimi i FIFA-s, por nëpërmjet një marrëveshje, prej dy vitesh çmimet janë bashkuar në një, nën emrin “Topi i Artë-FIFA”. Gazetarë, kapitenët dhe trajnerët e skuadrave përfaqësuese janë ata që votojnë për fituesin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA