Tjetër trofe për Skënderbeun, fiton Superkupën ndaj Laçit

12/08/2018 21:42

Trofeu i parë sezonal në futbollin shqiptar shkoi në favor të Skënderbeut, në fundin e një ndeshjeje plot gola dhe emocione ku skuadra korçare mposhti Laçin 3-2.

Pavarësisht largimeve të lojtarëve, dënimit nga UEFA dhe ndryshimeve në pankinë, Ujqërit e Dëborës arritën të imponohen me meritë ndaj kurbinasve duke shtuar Superkupën në muzeun e klubit.

Ne dy trajnerë debutues në pankinat respektive dhe shumë eksperimente në formacion, fraksioni i parë nuk rezervoi asnjë gol me skuadrat që menduan më shumë për të ruajtur portën, sesa për të shënuar. Starti i pjesës së dytë solli prishjen e ekulibrave kur Lushkja i dha epërsinë Laçit pas një rrëmuje në zonë. Por shumë shpejt korçarët arritën të rikthejnë barazpeshën pas një goli të Alitit që u tregua i gatshëm në një goditje këndi.

Dejvi Bregu arriti të fitojë një penallti për Skënderbeun që u konvertua në gol nga Muzaka dhe skuadra korcare mori për herë të parë avantazhin por nuk e lëshoi më. Bregu thelloi diferencën me rrjetën e tretë në portën e Lacit duke hapur rrugën e trofeut drejt Korçës. Kjo nuk u cenua as nga goli i vonë i Xhixhës që vulosi ndeshjen 3-2. Kështu Skënderbeu pas kampionatit dhe Kupës, arrin të marrë edhe Superkupën, nisje fantastike për një ekip që ende pret drejtësinë për dënimin e UEFA-s nga Arbitrazhi sportiv në Lozanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA