Argjentina, barazim 1-1 në Peru

12/09/2012 11:10

Argjentina pati fatin nga ana e saj dhe qëndron në krye të eliminatoreve të Amerikës së Jugut pas barazimit 1-1 në transfertën ndaj Perusë.

Që në minutën e parë të takimit vendasit fitojnë një 11-metërsh, por Claudio Pizarro nuk e shndërron dot në gol. Gjithsesi peruanët kalojnë në avantazh në minutën e 21 me anë të mbrojtësit Carlos Zambrano.

Gonzalo Higuain barazon shifrat në minutën e 37 dhe kjo ishte gjëja më e mirë e argjentinasve në këtë takim ku Messi “u fshi” nga terreni i lojës përmes një markimi të rreptë të mesfushorëve të Perusë.

Vendasit patën të paktën gjashtë raste për gol, por arritën të shënonin vetëm një herë në portën e Romeros.

Me këtë rezultat, Argjentina grumbullon 14 pikë në 7 ndeshje, ndërsa Peruja 7 pikë. Në ndeshjet e ardhshme, më 12 tetor, Argjentina do të presë Uruguajin, ndërsa Peruja Bolivinë.

Në ndeshjet e tjera të kualifikueseve të Amerikës Latine, u arritën këto rezultate:

Kili – Kolumbi 1-3

Uruguaj – Ekuador 1-1

Paraguaj – Venezuela 0-2

Top Channel