Protesta del jashtëkontrollit, forcat RENEA zbarkojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Dita e pestë e protestave në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa janë raportuar të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe efektivëve.
Një protestues humbi ndjenjat dhe u transportua me autoambulancë drejt spitalit, ndërsa dy efektivë policie u prekën nga flakët e lëndës djegëse të një molotovi dhe disa të tjerë u lënduan nga gurët.
Në pasdite situata u përshkallëzua, ndërsa forcat e Policisë lëvizën me furgonë në drejtim të protestuesve. Gjatë këtyre momenteve, një person mbeti i shtrirë në tokë në gjendje të rëndë shëndetësore. Më pas ai u transportua me autoambulancë drejt spitalit.
Përplasjet më të ashpra u zhvilluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku protestuesit e maskuar hodhën në drejtim të efektivëve fishekzjarrë, molotovë dhe gurë.
Policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa në disa raste u përdorën edhe fishekë gome.
Edhe mes protestuesve pati persona të lënduar.
Protestuesit i vunë flakën një makine pranë Kryeministrisë dhe më pas murit rrethues të godinës së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Më herët, tensione pati edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të Policisë, ndërsa efektivët ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Protesta e kësaj të shtune shënon ditën e pestë të tubimeve që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.
Në nisje të protestës, vëmendja ishte përqendruar te Ministria e Arsimit, ku ishin pozicionuar forca të shumta policie dhe autobote. Godina e ministrisë vijon të mbajë shenjat e dëmtimeve nga incidentet e ditëve të mëparshme.
Përditësimi orë pas ore i të gjitha zhvillimeve të ditës së sotme, 17 tetor 2026, përgatitur nga gazetarët e redaksisë së Top Channel Web, raportuar nga gazetarët e Top Channel në terren, Anila Hoxha, Elda Menga, Kristi Gongo dhe Dorjana Bezat, dhe korrespondentët tanë në rrethe, po ashtu edhe nga gazetaret e Top News në terren, Kleida Muka, Geriola Hate dhe Sagita Kumria:
Top Channel