Vërshim gurësh drejt autoboteve dhe policisë, përgjigja vjen gaz lotsjellës dhe ujë. Lëndohet një vajzë dhe një efektiv i FNSH

17/10/2026 17:21

Pjesa e bulevardit mes Piramidës dhe policisë është kthyer në një skenë luftë mes policisë dhe protestuesve.

Këta të fundit duket se kanë arritur të organizohen dhe të fitojnë një epërsi ndaj policisë, që është surprizuar jo pak nga agresiviteti i papritur prej afro 1 ore.

Protestuesit me goditjet e tyre me gurë në mënyrë masive e zmbrapsën policinë dhe thyen xhamin e një prej autobotëve.

Më pas policia e zgjeroi rrezen e vet të veprimit dhe u hap nga Piramida me forcat Shqiponja. Këta të fundit u hasën me sulmin e protestuesve të vendosur mbi piramidë.

Më pas forcat Shqiponja ndërmorën një ofensivë për të bërë shoqërime, por protestuesit arritën të largoheshin dhe të grumbulloheshin në një grup së bashku, duke prishur planin e policisë në këtë rast.

Së fundmi policia po avancon drejt parkut Rinia, me protestuesit, që qëndrojnë të grumbulluar dhe vijojnë të sulmojnë. Një i mitur u kap nga FNSH dhe u shoqërua, teksa një vajzë dhe një efektiv i Ndërhyrjes së Shpejtë u panë të lënduar.

Top Channel