Protesta e dhunshme në ditën e pestë/ 9 protestues, 5 policë dhe 1 kalimtar të lënduar
Analisti Gabriel Partos thotë se Rusia mund të jetë një prej aktorëve të jashtëm që tenton të ndikojë në situatën në Shqipëri, me synimin për të dobësuar Bashkimin Europian dhe Aleancën Euroatlantike, por thekson se forcat e huaja nuk mund të fajësohen për shpërthimin e protestave.
Në intervistën për Top Channel me gazetarin Muhamed Veliu, Partos u ndal te deklaratat për mundësinë e ndërhyrjes së aktorëve të huaj në trazirat e ditëve të fundit.
Sipas tij, Rusia është aktori i jashtëm më serioz që mund të ketë interes për të ndërhyrë apo tentuar të ndërhyjë, për shkak të synimit të saj për të dobësuar Bashkimin Europian dhe Aleancën Euroatlantike.
“Unë mendoj se më seriozët e potencialët si aktorë të jashtëm që ndërhyjnë apo tentojnë ta bëjnë këtë është Rusia, e cila ka tentuar të dobësojë Unionin Europian, Aleancën Euroatlantike, përfshi anëtarët e saj europianë”, tha Partos.
Ai e lidhi një interes të mundshëm të Moskës edhe me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përmendur Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Meqë Shqipëria dhe Mali i Zi janë në radhë për anëtarësim, ka përpjekje për t’i dobësuar dhe penguar në zgjerimin e BE-së. Ky është një objektiv i Rusisë”, deklaroi Partos.
Në intervistën e tij analisti përmendi edhe akuzat ndaj Serbisë dhe mundësinë e përfshirjes së Iranit, duke iu referuar marrëdhënieve të tensionuara dhe sulmeve kibernetike.
“Natyrisht Irani pas mardhënive të dobëta dhe sulmeve kibernetike të shpeshta, në një mënyrë mund të ketë përfshirje”, tha Partos në intervistën e tij.
Megjithatë, analisti theksoi se një ndërhyrje e mundshme e huaj nuk duhet të shihet si shkaku i protestave në Shqipëri.
“Unë nuk besoj se për atë çfarë e ka shkaktuar duhen fajësuar aktorë të huaj prej vendeve të tjera”, tha ai.
Partos solli si shembull debatin për ndikimin rus në referendumin e Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se edhe në atë rast ndërhyrja e pretenduar nuk konsiderohej faktori vendimtar.
“Përsëri kur flasim për Shqipërinë sot, mund edhe të ketë ndërhyrje të Rusisë në mënyrë të posaçme. Mund të ketë edhe akuza për Serbinë. Në përgjithësi nëse ka apo nuk ka ndërhyrje të huaja, ju nuk mund ti fajësoni për këto protesta serioze, forca të huaja”, tha analisti Partos.
Top Channel