Nëna shtatzënë humbi jetën bashkë me foshnjën, reagon Ministria e Shëndetësisë: Do te verifikohet i gjithë procesi, do merren masa nëse evidentohen parregullsi

31/08/2026 20:37

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar këtë të hënë, ku një 37-vjeçare shtatzënë dhe foshnja e saj 7-muajshe kanë humbur jetën.

Ministria ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, nga momenti i paraqitjes së pacientes në spital deri në përfundimin e trajtimit, për të verifikuar nëse ka pasur parregullsi apo mangësi në kujdesin shëndetësor.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.

Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.

Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavaru të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.

Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.

Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.

Top Channel