Pas tragjedisë së 7-vjeçarit, Task-Forca kërkon njoftim paraprak për hapjen e portave të digave

31/08/2026 20:29

Pas mbytjes tragjike të një 7-vjeçareje në ujërat e Drinit të Zi, autoritetet në Dibër kanë ngritur shqetësimin për rrezikun që paraqet ndryshimi i menjëhershëm i prurjeve të lumit, veçanërisht pas hapjes së portave të digave në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, është mbledhur Task-Forca, ku në fokus ka qenë forcimi i masave të sigurisë dhe parandalimi i ngjarjeve të tjera tragjike përgjatë rrjedhës së Drinit të Zi. Një prej kërkesave kryesore të ngritura në takim është njoftimi paraprak nga pala maqedonase për oraret e hapjes së portave të digës së Spiljes në Dibër të Madhe.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu që operatorët privatë që operojnë përgjatë Drinit të Zi të bëjnë publike oraret e hapjes së portave dhe çdo problematikë që lidhet me rrjedhën e lumit, në mënyrë që informacioni të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të rritjes së turizmit në këtë zonë. Sipas të dhënave të paraqitura në takim, numri i vizitorëve pranë Drinit të Zi këtë vit është rritur me rreth 50% krahasuar me një vit më parë.

Një tjetër masë e propozuar është vendosja e tabelave informuese dhe paralajmëruese në akset kryesore që të çojnë drejt lumit, duke informuar qytetarët dhe turistët për rrezikun e ndryshimeve të papritura të nivelit dhe rrjedhës së ujit.

Top Channel