Gjeneralët amerikanë i japin Hegseth alarmin për luftën në Iran: Mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për t’iu përgjigjur krizave në botë

31/08/2026 10:37

Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thuhet se i kanë paralajmëruar Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se një operacion i zgjatur në shkallë të gjerë kundër Iranit mund të kufizojë ndjeshëm aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur krizave në rajone të tjera të botës dhe për të përmbushur detyrimet e saj të mbrojtjes.

Paralajmërimet janë përfshirë në një vlerësim të klasifikuar të Pentagonit mbi vendosjen globale dhe gatishmërinë e forcave amerikane, raportoi The Washington Post.

Çështja u ngrit në gusht në të ashtuquajturin “Libri i Urdhrave të Sekretarit të Mbrojtjes”, një dokument që pasqyron disponueshmërinë dhe vendosjen e aseteve ushtarake amerikane në mbarë botën dhe përmban vlerësime nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.

Sipas raportit, shqetësimi i udhëheqjes ushtarake u shtua pasi dokumenti parashikonte se një pjesë e forcave amerikane do të vazhdonin të qëndronin në Lindjen e Mesme edhe gjatë vitit 2027.

Komandantët e disa prej komandave kryesore amerikane, përfshirë ato përgjegjëse për Paqësorin, Evropën dhe Amerikën e Jugut, paraqitën zyrtarisht atë që njihet si tregues “mos-pajtimi”, duke shprehur kundërshtimin ndaj mbajtjes së forcave në rajon për një periudhë kaq të gjatë.

Megjithatë, ky qëndrim nuk nënkupton refuzim për të zbatuar urdhrat. Ushtria amerikane ka bërë të qartë se, pavarësisht shqetësimeve, urdhrat do të zbatohen.

Komandantët në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine kanë parë avionë luftarakë, anije dhe asete të tjera të konsiderueshme të transferohen në Lindjen e Mesme për të mbështetur operacionet kundër Iranit.

Sipas The Washington Post, këto zhvendosje kanë ndikuar jo vetëm në operacionet ushtarake në rajone të tjera, por edhe në programet e trajnimit dhe gatishmërinë e forcave amerikane.

Një burim i cituar nga gazeta e përshkroi situatën brenda ushtrisë si një ndjenjë se Shtetet e Bashkuara po përballen me “shumë vështirësi, për një kohë shumë të gjatë”.

Shqetësimet janë veçanërisht të forta te komandantët përgjegjës për Evropën dhe Amerikën Latine.

Sipas raportit, ata paralajmëruan se transferimi i anijeve dhe avionëve drejt Lindjes së Mesme “ka degraduar aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet për mbrojtjen e atdheut”.

Një paralajmërim të ngjashëm thuhet se ka dhënë edhe kreu i operacioneve detare amerikane. Ai deklaroi se vetëm rreth një e katërta e flotës amerikane të shkatërruesve është aktualisht në gjendje gatishmërie për dislokim, një nivel dukshëm më i ulët se ai përpara fillimit të luftës.

Sipas tij, nëse konflikti vazhdon me ritmin aktual, aftësia e flotës për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive një krize tjetër ushtarake mund të vihet në rrezik.

Pentagoni i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara nga The Washington Post.

“Ky lajm i rremë, i bazuar në burime të pamjaftueshme, është plot me pasaktësi”, deklaroi zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.

Ai tha se Hegseth është në koordinim të vazhdueshëm me drejtuesit e degëve të Forcave të Armatosura, Shefat e Shtabit të Përbashkët dhe komandantët e strukturave ushtarake, me synim që forcat amerikane të pozicionohen në mënyrë të përshtatshme për të parandaluar konfliktet, për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe për të ruajtur nivele të pranueshme të gatishmërisë.

Parnell shtoi se vendimet për shkallën dhe kohëzgjatjen e dislokimit të forcave bazohen në vlerësimet e kërcënimeve, prioritetet strategjike të përcaktuara nga presidenti dhe rekomandimet e udhëheqjes ushtarake.

Megjithatë, ai theksoi se Departamenti i Mbrojtjes nuk diskuton publikisht procedurat e tij të brendshme operacionale.

Top Channel