Dhunimi i kamarierit 18-vjeçar/ “Rrahje e rëndomtë mes të rinjsh”, avokatët justifikojnë të arrestuarit: Kallashnikovi mbahej që prej ’97-ës, donte ta hidhte në përrua

31/08/2026 13:35

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45-ditor për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të arrestuar pas dhunimit të kamarierit 18-vjeçar në Mal të Robit, Golem.

Sipas akuzës, i riu u dhunua pasi kërkoi pagën për punën e kryer në hotel. Dy të arrestuarit akuzohen nga Prokuroria për plagosje të rëndë me dashje.

Pas vendimit të gjykatës, avokati i tyre,Altin Sinella, kundërshtoi akuzën dhe e cilësoi ngjarjen si një sherr të zakonshëm.

“U la me afat 45-ditor për t’u analizuar ekspertiza mjeko-ligjore, që në fakt është farsë, është e stisur. Janë dëmtime të lehta sipërfaqësore, por për të motivuar arrestin u akuzuan për plagosje të rëndë. Është një rrahje e rëndomtë. Një sherr mes të rinjsh”, deklaroi avokati.

Në deklaratën e tij pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati Sinella edhe pse tha se 18-vjeçari i kishte provokuar dy të arrestuarit, pranoi se nuk ishte “shumë i qartë” për dinamikën e ngjarjes.

“Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal, i ka provokuar dhe këta i janë kthyer. Nuk jam shumë i qartë për ngjarjen. Viktima mban qëndrim të ndryshëm nga të arrestuarit. Njëri ka versionin e vet, tjetri të vetin. Se kush është më i besueshmi, do të dalë rrugës”, tha ai.

Gjithashtu, avokati pretendoi se nga konflikti janë dëmtuar fizikisht të dyja palët.

“Të bësh sherr askush nuk ka qejf. Janë të zhgënjyer për veprimet. Të dyja palët janë dëmtuar fizikisht, për njërin s’është marrë asnjë vendim, për tjetrin kanë shkuar në ekstrem”, deklaroi ai.

Edhe avokati i xhaxhait justifikon veprimet: Armën e kishte nga ’97-a, donte ta hidhte në përrua

Një linjë justifikuese ndoqi edhe Ndriçim Troplini, avokati i xhaxhait të 18-vjeçarit, Melison Nela, për të cilin gjykata caktoi masën “arrest në burg” pa afat për armëmbajtje pa leje.

Sipas Policisë, 47-vjeçari, pasi mësoi se nipi ishte dhunuar, u nis i armatosur drejt hotelit me qëllim hakmarrjen. Ai u ndalua pranë hotelit dhe në automjet iu gjetën një kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

Avokati mohoi versionin e Policisë për hakmarrjen dhe u përpoq ta justifikonte mbajtjen e armës me pretendimin se klienti i tij e kishte atë që prej vitit 1997, ndërsa mosdorëzimin në polici ia atribuoi “mosnjohjes së ligjit”.

“Masa e sigurisë ishte arrest me burg. Klienti që unë përfaqësoj ka mbajtur një qëndrim pohues që në fillim në polici. Ka shpjeguar që armën e kishte nga viti ’97 dhe atë ditë, në mosnjohje të ligjit, ka dashur ta hidhte në një përrua, kur thjesht mund ta kallëzonte në polici. Akuza ndaj tij është armëmbajtja pa leje”, deklaroi avokati.

Sipas tij, arma nuk kishte lidhje me dhunimin e 18-vjeçarit dhe as me një hakmarrje ndaj personave të përfshirë në konflikt.

“Ditën e ngjarjes ai ka qenë në polici. Të nesërmen ka mbajtur armën dhe të nesërmen është hequr nga banesa. Nuk ka lidhje me hakmarrjen klienti im. Klienti që unë përfaqësoj, nga mosdijenia e ligjit, nuk ka telefonuar policinë që ta dorëzonte”, tha avokati.

Top Channel