Deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin: Jemi duke ndjekur rrugën që do të çojë në përfundimin e luftës në Ukrainë

31/08/2026 18:26

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po ndjek rrugën që do të çojë drejt përfundimit të konfliktit në Ukrainë.

Deklarata e Putin erdhi gjatë një takimi me kryeministrin indian Narendra Modi, në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Çështja e luftës në Ukrainë u ngrit nga vetë Modi, i cili theksoi se konflikti duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe se Moska duhet të ndërmarrë hapa aktivë në këtë drejtim.

Në përgjigje, Putin e siguroi kryeministrin indian se Rusia tashmë është duke punuar në këtë drejtim. “Faleminderit shumë, i dashur kryeministër. Ne tashmë po ndjekim këtë rrugë”, u shpreh Putin.

Megjithatë, presidenti rus nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë nënkupton konkretisht me këtë deklaratë dhe cilat hapa mund të ndërmerren për t’i dhënë fund luftës.

Nga ana e tij, Modi propozoi që të dy liderët të rikthehen sërish te diskutimi për çështjen e Ukrainës, veçanërisht në kuadër të takimeve të ardhshme ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit indian, një tjetër mundësi për të diskutuar këto çështje do të jetë samiti i BRICS, që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm në Nju Delhi.

Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin Rusi-Ukrainë vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Top Channel