Topi i Artë 2026/ Kush do të pasojë Dembele dhe Bonmati? Ja kur do të mësohen emrat e finalistëve
Tërheqja e Lionel Messit nga Kombëtarja e Argjentinës ka bërë xhiron e botës, duke marrë vëmendje të madhe në mediat më prestigjioze sportive. Nga Argjentina në Francë, Itali, Portugali e Gjermani, gazetat kryesore e kanë cilësuar vendimin e “10”-ës si “një bombë në botën e futbollit” dhe fundin e një prej epokave më të mëdha të këtij sporti.
Pas më shumë se dy dekadash me fanellën e “Albiceleste”, Messi njoftoi tërheqjen e tij përmes një letre të shkruar me dorë. Sipas vetë futbollistit, letra ishte shkruar dy ditë pas finales së Kupës së Botës kundër Spanjës, e cila rezultoi të ishte ndeshja e tij e fundit me Argjentinën.
Me 207 ndeshje, 125 gola, një Kupë Bote, dy Copa América dhe një Finalissima, Messi largohet nga përfaqësuesja me një trashëgimi që tashmë i përket historisë.
“Faleminderit, Leo: do të jesh i përjetshëm”
Gazeta argjentinase Olé e ka përshëndetur legjendën me një mesazh emocional: “Faleminderit, Leo: ti do të jesh i përjetshëm”.
Media argjentinase vë theksin te gjithçka që Messi i dha kombëtares, nga vitet e vështira deri te triumfi historik në Katar.
Clarín e cilëson vendimin si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së futbollit argjentinas, duke kujtuar se Messi ishte lideri i brezit që i dha fund një pritjeje të gjatë për trofe.
“Një bombë në botën e futbollit”
TyC Sports e përshkruan njoftimin si një “bombë të Kupës së Botës”, ndërsa Perfil e cilëson si një “bombë botërore”.
Në Argjentinë, lajmi ka shkaktuar një valë emocionesh te tifozët, të cilët kanë vërshuar në rrjetet sociale me mesazhe falënderimi për kapitenin që i riktheu vendit trofetë më të rëndësishëm.
Nga Franca: “Mbaroi”
Në Francë, L’Équipe e ka përmbledhur gjithçka me një titull të shkurtër dhe domethënës: “Mbaroi”.
Ndërkohë, Le Parisien i referohet vendimit të Messit si “një vendim që ende më lëndon”, duke rikujtuar se finalja e Botërorit ishte ndeshja e fundit e tij me fanellën e Argjentinës.
Italia: “Fundi i një epoke”
Në Itali, Corriere dello Sport ka zgjedhur titullin “Fundi i një epoke”, ndërsa La Gazzetta dello Sport i ka kushtuar vëmendje të veçantë letrës së lamtumirës së Messit.
Mediat italiane rikujtojnë të gjithë rrugëtimin e tij, nga debutimi në vitin 2005 deri te triumfi në Kupën e Botës dhe dy titujt e Copa América.
Gjermania: “21 vite që do të hyjnë në histori”
Edhe mediat gjermane e kanë vlerësuar lamtumirën e Messit si fundin e një epoke.
Kicker shkruan për “21 vite që do të hyjnë në histori”, duke theksuar kontrastin mes fillimit të vështirë të aventurës së tij me Argjentinën dhe fundit të lavdishëm.
Messi debutoi në gusht të vitit 2005, por u përjashtua vetëm pak sekonda pas hyrjes në fushë në një miqësore ndaj Hungarisë. Më pas, ai u shndërrua në golashënuesin dhe futbollistin me më shumë ndeshje në historinë e Argjentinës.
Një lamtumirë si kampion bote
Në vitin 2016, pas humbjes në finalen e Copa América ndaj Kilit, Messi kishte njoftuar për herë të parë tërheqjen nga kombëtarja. Atëherë ishte vetëm 29 vjeç dhe vendimi u pasua nga rikthimi i tij. Këtë herë situata është krejt ndryshe.
Messi largohet pasi ka përmbushur ëndrrën më të madhe: fitimin e Kupës së Botës. Ai largohet si kapiten, si rekordmen dhe si një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit.
Për mediat botërore, një gjë është e qartë: epoka e Messit me Argjentinën ka përfunduar, por trashëgimia e tij do të mbetet përgjithmonë.
Top Channel