Video/ Përmbytje të tmerrshme në Nepal me të paktën 8 të vdekur, momenti kur valët e mëdha përpijnë gjithçka

26/08/2026 13:15

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën nga përmbytjet e fuqishme që përfshinë disa fshatra në Nepal, ndërsa autoritetet kanë dërguar helikopterë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrugë, ura dhe objekte të infrastrukturës energjetike, veçanërisht në zonat pranë kufirit me Tibetin. Situata mbetet shqetësuese, pasi autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.

Në zonat Siapru Besi dhe Timure, në sektorin malor të Rasuwa-s, niveli i ujërave është aq i lartë sa helikopterët nuk kanë mundur të ulen. Zyrtarët u kanë bërë thirrje banorëve që jetojnë përgjatë lumit Bhote Kosi të largohen drejt zonave më të larta.

Komandanti i sektorit, Narendra Pariyar, paralajmëroi për mundësinë e viktimave të tjera dhe dëmeve të mëdha materiale, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të vlerësojnë situatën në terren.

Një dëshmitar nga zona tha se gjithçka ndodhi papritur. Sipas tij, banorët dëgjuan një shpërthim të fortë, ndërsa më pas njerëzit nisën të bërtisnin dhe të largoheshin me vrap.


Përtej kufirit, në Tibet janë raportuar gjithashtu viktima dhe persona të zhdukur, pas një rrëshqitjeje dheu në një pikë kalimi mes Kinës dhe Nepalit.

Agjencia zyrtare kineze Xinhua raportoi se rrëshqitja e dheut goditi zonën e Girongut, duke dëmtuar rrugët, komunikimet dhe furnizimin me energji elektrike në distriktin Shigatse.


Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar përpjekje maksimale për gjetjen dhe shpëtimin e personave të zhdukur, si dhe forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për të parandaluar fatkeqësi të tjera.


Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Nepalit bëri të ditur se rreth 430 megavat energji elektrike janë prekur nga përmbytjet, kryesisht për shkak të dëmtimeve në hidrocentrale.

Policia dhe ushtria nepaleze janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar banorët e zonave të ulëta të zhvendosen në vende më të sigurta.

Shkaku i saktë i përmbytjeve nuk është përcaktuar ende. Megjithatë, lumi Bhote Kosi ishte përfshirë edhe vitin e kaluar nga një përmbytje e fuqishme, e cila shkaktoi nëntë viktima dhe 24 persona të zhdukur. Sipas një agjencie rajonale të monitorimit të klimës, ajo fatkeqësi ishte shkaktuar nga shpërthimi i një liqeni të madh akullnajor në Tibet.

Top Channel