Vdes në moshën 74-vjeçare shkrimtari Ryu Murakami, i vlerësuar me çmime prestigjioze në letërsinë japoneze

23/10/2026 19:12

Shkrimtari dhe regjisori japonez Ryu Murakami ka vdekur në moshën 74-vjeçare, duke lënë pas një vepër letrare që sfidoi normat shoqërore dhe eksploroi anët më të errëta të shoqërisë bashkëkohore.

I njohur për romanet e tij provokuese, ku ndërthuren dhuna, varësitë, tjetërsimi dhe kriza e identitetit, Murakami krijoi një zë të veçantë në letërsinë japoneze, veçanërisht për lexuesit e rinj. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur të premten nga shtëpia botuese Gentosha, e cila shprehu pikëllimin për humbjen e autorit që, gjatë gjithë karrierës së tij, botoi vepra që sfidonin kufijtë e letërsisë.

Murakami u bë i njohur që me romanin e tij të parë, “Vija blu në lëkurë transparente”, të botuar më 1976. Vepra, e cila trajton rënien e një rinie rebele mes ekseseve dhe sjelljeve vetëshkatërruese, u vlerësua me çmimin Akutagawa, një nga çmimet më prestigjioze letrare në Japoni.

Katër vjet më vonë, shkrimtari publikoi romanin “Fëmijët e dollapëve të bagazheve” (Coin Locker Babies), ku rrëfehet historia e dy fëmijëve të braktisur në dollapët e bagazheve të një stacioni hekurudhor, të cilët përpiqen të mbijetojnë në botën e errët të Tokios. Ndër veprat e tij të njohura është edhe “Në supën e misos” (In the Miso Soup), një roman që e shpie lexuesin në mjediset e errëta të jetës së natës në kryeqytetin japonez.

Përmes personazheve të trazuar dhe rrëfimeve të drejtpërdrejta, Murakami e ktheu letërsinë në një hapësirë për të eksploruar vetminë, dhunën dhe humbjen e lidhjeve njerëzore. Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë gjermanishten, duke e zgjeruar ndikimin e tij përtej kufijve të Japonisë.

Shtëpia botuese Gentosha e përshkroi shkrimtarin si një njeri që jetoi me vrullin e dikujt përpara kohës së vet.

Me largimin e Ryu Murakamit, letërsia humb një autor që nuk kërkoi ta zbukuronte realitetin, por ta përballte lexuesin me kontradiktat, plagët dhe anët e tij më të parehatshme.

Top Channel