Përplasja tregtare, hakmarrja e Kanadasë vë në provë kufijtë e pushtetit amerikan nën Presidentin Trump

26/08/2026 13:22

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kanadasë po përballen me një tjetër përplasje të fortë, pasi bisedimet për një marrëveshje të re tregtare dështuan dhe tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan.

Negociatat u ndërprenë pasi pala kanadeze u tërhoq nga bisedimet, duke i hapur rrugë një raundi të ri tarifash mes dy vendeve. SHBA-ja dhe Kanadaja kryejnë rreth 872 miliardë dollarë në tregti dypalëshe çdo vit.

Situata u tensionua më tej pas publikimit të një regjistrimi audio ku zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, fliste për kryeministrin kanadez Mark Carney. Vance e përshkroi Carney-n si një “djalë shumë të ëmbël”, por ironizoi deklaratat e tij se do të përballej me Donald Trump.

Komentet shkaktuan reagime në Kanada, ndërsa përplasja e fundit po shihet si një sfidë për politikën tregtare të administratës Trump. Tensionet mes dy vendeve nuk janë të reja. Gjatë viteve të fundit, Trump ka kritikuar vazhdimisht Kanadanë për politikat tregtare dhe kontributin në mbrojtjen rajonale, ndërsa në të kaluarën e ka cilësuar vendin edhe si “Shteti i 51-të” i SHBA-së.

Për administratën Trump, Kanadaja është një partner i rëndësishëm tregtar, por njëkohësisht një vend ndaj të cilit Uashingtoni kërkon më shumë koncesione ekonomike dhe angazhim në çështjet e sigurisë.

Përplasja e fundit tregon se presioni amerikan nuk ka sjellë dorëzimin e Kanadasë, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si do të zhvillohen marrëdhëniet mes dy aleatëve gjatë pjesës së mbetur të presidencës së Trump.

Top Channel