Dosja voluminoze e të dhënave mjaft sekrete të grumbulluara nga Ukraina për ushtrinë ruse, që do t’i kalojë Britanisë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar dje në Kiev mes Zelenskyt dhe Andy Burnham, konsiderohet një “minierë floriri”.

Ajo do të rrisë aftësitë mbrojtëse britanike në përplasjet e mundshme dhe kërcënimet ruse ndaj Britanisë, edhe për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Londrës për Kievin në luftën 4-vjeçare në Ukrainë. Ndër këto sekrete thuhet se ka të dhëna mbi sekretet e Kremlinit dhe taktikave ruse, të cilat do të shërbejnë si manuale trajnimi përmes Inteligjencës Artificiale për forcat britanike, të dhëna të grumbulluara nga shërbimet ukrainase të ushtrisë dhe inteligjencës gjatë kohës së pushtimit rus.

Në kushtet e kërcënimeve ruse ndaj Britanisë, databaza ukrainase do të ndihmojë në interceptimin e dronëve rusë dhe frenimin e sulmeve kibernetike. Rusia ka kërcënuar se do të shkatërrojë fabrikat britanike që ofrojnë armë për Ukrainën, pas lëshimit të dronëve të prodhuara nga Britania për herë të parë gjatë luftës. Sipas Kremlinit, Londra po i hedh benzinë zjarrit duke mbështetur Ukrainën, ndërkohë Kryeministri Burnham u kundërpërgjigj duke thënë; “Kush e filloi zjarrin? Kjo është pyetja, apo jo?”

Shefat e ushtrisë britanike kërkojnë të përfitojnë nga teknologjitë e provuara të suksesshme nga Ukraina në fushëbetejë, ku dronët e mbështetur nga Inteligjenca Artificiale dhe robotët dominojnë në zonën e luftës. Britania është e interesuar në aplikimin e Ukrainës të Inteligjencës Artificiale për të mbrojtur infrastrukturën e saj kombëtare të energjisë, si dhe për të zmbrapsur sulmet e Kremlinit ndaj objekteve të industrisë ushtarake.

Britania bëhet vendi i parë që do të ketë akses në të ashtuquajturën “Avengers AI Lab” të Ukrainës, ku shkencëtarët ukrainas kanë bërë disa përparime të mëdha dhe të jashtëzakonshme, ku Inteligjenca Artificiale ka përshpejtuar vendimmarrjen në zonat e konfliktit. Britania, e cila njihet në mbarë botën për grumbullimin e të dhënave inteligjente, do të ketë një mundësi më shumë tashmë me marrëveshjen me Ukrainën, e cila po shndërrohet në një nga vendet më të mëdha për prodhimin e pajisjeve më të fundit ushtarake në Evropë.

Top Channel