SHBA ngushton masat për naftën iraniane, i gjithë rrjeti që mundëson lëvizjen e anijeve cisterna nën shënjestrën e sanksioneve amerikane
Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë po përshkallëzohet, ndërsa Otava po shqyrton mënyrat se si mund t’i përgjigjet tarifave të Donald Trump.
Sipas një analize të BBC-së, Kanadaja ka disa mjete në dispozicion, pavarësisht se rreth 70% e eksporteve të saj shkojnë në tregun amerikan.
Energjia, pika më e fortë e Kanadasë
Një nga armët më të fuqishme të Otavës është energjia. Kanadaja furnizon pjesën më të madhe të importeve amerikane të gazit natyror dhe energjisë elektrike, si dhe rreth 60% të naftës bruto që importon SHBA-ja.
Politikani Doug Ford, ka paralajmëruar se një tarifë shtesë mbi eksportet e energjisë elektrike mbetet një mundësi nëse konflikti përshkallëzohet. Kanadaja është gjithashtu një furnizues i rëndësishëm i potasit, të përdorur në plehra, si dhe i mineraleve kritike si litiumi, nikeli dhe grafiti.
Bojkoti i produkteve amerikane
Kanadezët kanë treguar tashmë se mund të ndikojnë te bizneset amerikane përmes bojkotit. Pas tarifave të para të Trump, disa provinca hoqën nga raftet produktet alkoolike amerikane. Eksportet e verës amerikane drejt Kanadasë ranë me 78%, ndërsa eksportet e pijeve alkoolike ranë me më shumë se 70%.
Edhe udhëtimet e kanadezëve në SHBA kanë rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave të cituara nga BBC, kjo i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 3.3 miliardë dollarë kanadezë gjatë vitit të kaluar.
Presioni politik
Sipas analizës së BBC-së, Kanadaja mund të përdorë edhe presionin politik në shtetet amerikane që varen shumë nga tregu kanadez. Kanadaja është klientja kryesore e 26 shteteve amerikane dhe ndër tre partnerët kryesorë tregtarë për 45 prej 50 shteteve.
Kjo mund të bëhet veçanërisht e rëndësishme përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, ku ekonomia dhe çmimet janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve.
Kryeministri Mark Carney ka paralajmëruar se tarifat amerikane do të dëmtojnë edhe punëtorët dhe konsumatorët në SHBA, veçanërisht në sektorin e automjeteve.
Kanadaja, megjithatë, do të përballet edhe vetë me kosto të mëdha. Analistët vlerësojnë se tarifat e reja amerikane mund të ulin ekonominë kanadeze me 0.3% deri në 0.6% në afat të shkurtër.
Sipas BBC-së, sfida për Carney është të gjejë mënyrën për t’i shkaktuar presion ekonomik Trumpit pa dëmtuar më shumë Kanadanë, e cila mbetet shumë e varur nga tregu amerikan.
Top Channel