Mbledhja do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm Mattias Grafstrom dhe drejtuesve kryesorë të FIFA-s, në një përpjekje për të menaxhuar situatën e krijuar pas tërheqjes së planit për përfshirjen e investitorëve privatë në një kompani që do të menaxhonte aspektet komerciale të turneve të FIFA-s.
UEFA humbet besimin te Infantino
Projekti, i cili parashikonte shitjen e rreth 20% të kompanisë së re ndaj investitorëve privatë, u kundërshtua fuqishëm nga UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit. UEFA madje kërcënoi me bojkot të kompeticioneve të FIFA-s nëse plani nuk tërhiqej. Pas anulimit të projektit, UEFA deklaroi se ka “humbur besimin” te Gianni Infantino, ndërsa disa federata kanë tërhequr mbështetjen për presidentin e FIFA-s.
Ndërkohë, disa anëtarë të Këshillit të FIFA-s po kërkojnë mbështetjen e 19 votave për të thirrur një takim ku Infantino të japë shpjegime për këtë çështje dhe për menaxhimin e rasteve të fundit, përfshirë edhe çështjen e Folarin Balogun.
Wenger del në mbështetje të transparencës
Ish-trajneri i Arsenalit dhe drejtuesi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, i cili ishte kritikuar për heshtjen e tij, reagoi duke sqaruar se nuk kishte qenë pjesë e këtij projekti. “Besoj fuqimisht në një FIFA të pavarur që i shërben futbollit me përkushtim, transparencë dhe integritet”, deklaroi Wenger, duke e cilësuar tërheqjen e planit si një vendim “të domosdoshëm”.
E ardhmja e Infantinos në pikëpyetje
Situata komplikohet edhe më shumë pas dorëheqjes së këshilltarit të tij të lartë Carlos Cordeiro dhe deklaratave të shefit operativ të FIFA-s, Kevin Lamour, i cili tha se stafi ishte “mashtruar” gjatë procesit.
Ndërkohë, beteja politike brenda FIFA-s pritet të varet nga qëndrimi i federatave aziatike. Disa vende si Katari dhe Emiratet e Bashkuara kanë dalë në mbështetje të Infantinos, ndërsa presidenti i federatës së Jordanisë, Princi Ali Bin Al Hussein, e ka akuzuar FIFA-n për presion dhe “shantazh”. FIFA ndodhet përpara një prej krizave më të mëdha të viteve të fundit dhe e ardhmja politike e Gianni Infantinos duket më e pasigurt se kurrë.